Bariç në dilemë për anti-Holandën

Mesfusha e fortë holandeze ka vënë në dilemë trajnerin Baric që nuk ka vendosur ende se si të rreshtojë këtë repart në përfaqësuesen tonë. Ndonëse fillimisht mendohej se ndaj Holandës do të luhej me të njëjtën skemë 4-5-1 që u përdor në Bullgari, trajneri kroat po mendon t‘i japë detyra më mbrojtëse mesfushës kuqezi. Duke parë se kundërshtarët kanë lojtarë të kalibrit të Van der Vart, Shnajder dhe Sedorf në këtë repart dhe mund të rrezikojnë si me depërtimet, ashtu edhe me gjuajtjet nga distanca.
Baric ua ka shpjeguar edhe lojtarëve dilemën e tij, duke filluar që dy ditë më parë përgatitjet për një rreshtim ndryshe. Nëse ndaj Bullgarisë para mbrojtjes qëndronte vetëm Cana, ndaj Holandës, Baric po mendon që të rreshtojë në këtë pozicion të paktën edhe një mesfushor tjetër. Si rrjedhojë, pritet që edhe Lala të ketë një pozicion më të tërhequr në fushë, duke menduar vetëm për të bllokuar organizimin e lojës nga mesfushorët kundërshtarë. Në këtë rreshtim të parë të ideuar nga trajneri, dy mesfushorët do të jenë para mbrojtjes që përbëhet nga Dallku, Curri, Dede dhe Vangjeli. Për Haxhin do të ketë një vend në krahun e majtë të mesfushës, ndërsa Muka pritet të rreshtohet në krahun e djathtë. Trajneri duket se do të rreshtojë një mesfushor të avancuar me këtë skemë, në rolin e organizatorit dhe të mbështetësit të sulmit, ku Duro është më i favorizuar për një vend të tillë, që zakonisht mbahet nga Skela. Deri tani ka një balotazh për postin e sulmuesit të vetëm, ku Bogdani duket më i favorizuar në këtë garë për të hyrë në fushë që nga minuta e parë e takimit.
Por Baric po studion edhe një rrethim tjetër, me më shumë mesfushorë mbrojtës në fushë. Ai u ka treguar futbollistëve gjatë këtyre ditëve se kjo skemë do të ishte më e mirë për kundërsulmin, ndërsa Holanda do ta kishte më të vështirë t‘i afrohej zonës tonë, duke parë edhe gardhin e ngjeshur të ndërtuar para portës së Beqajt. Me këtë rreshtim tjetër, Haxhi do t‘i bashkohet Canës dhe Lalës para mbrojtjes, për të siguruar mbulim të plotë në qendër. Ndërkohë, pak më të avancuar nga krahët, mund të aktivizohen Muka e Duro, të cilët nuk do të kenë vetëm detyrën e furnizimit të sulmuesit të vetëm në sulm. Ata do të ndalojnë avancimin e mbrojtësve të Holandës, që shpesh përfshihen në skemat sulmuese të ndërtuara nga Van Basten. Edhe në këtë rast, kundërsulmi është arma e vetme e përfaqësueses shqiptare për të rrezikuar portën e mbrojtur nga Van der Sar. Trajneri ka bërë të ditur se do të zgjidhë përfundimisht të gjitha dilemat e tij rreth formacionit të kuqezinjve, vetëm pasi të shohë ndeshjen e së shtunës mes Holandës e Bullgarisë.
Skema 1
Beqaj
Dallku, Curri, Dede, Vangjeli
Lala Cana
Muka Duro Haxhi
Bogdani
Skema 2:
Beqaj
Dallku, Curri, Dede, Vangjeli
Lala Cana Haxhi
Muka Duro
Bogdani
Burimi: Ermal Kuka, Gazeta "Shqip"
Biznesmeni shqiptar i fal një celular Baricit
Oto Baric ka patur një surprizë të këndshme përpara sfidës së djeshme ndaj ekipit U19 në stadiumin "Selman Stërmasi". Pasi kishte dëgjuar për vjedhjen e celularit në hotel "Adriatik" në Durrës, një biznesmen shqiptar i është afruar teknikut kuqezi duke i dhuruar një aparat të ri, tip "Nokia", ndryshe nga "Samsungu" që kroatit ia vodhën. Gjesti e ka prekur shumë teknikun kroat, që i ka shprehur falënderimet e tij biznesmenit shqiptar. "Lexova se të humbi telefoni, prandaj po të bëj një dhuratë", tha shqiptari. "Të falënderoj për gjestin fisnik", ishin fjalët e Oto Baric./Balkanweb