E Diel, 1 Nëntor 2026

Lala: Holanda, nën presion po nuk mundi Bullgarinë

Kapiteni beson. Altin Lala e njeh mjaft mirë Holandën, por nuk mendon se tulipanët do ta kenë një shëtitje Shqipërinë. I mësuar me sfida të mëdha, në sytë e mesfushorit të përfaqësueses shqiptare nuk sheh aspak frikë. Gjithcka e mbulon dëshira për triumf dhe për të mposhtur kundërshtarin, kjo pjesë edhe e karakterit të tij të vecantë.
Altin, ta nisim nga ndeshja me Hanovërin. Shumë zhurmë për atë ndërhyrjen tënde...
Ishte një situatë e nderë në fakt, më shumë se për ndërhyrjen time, zhurma u bë për presionin e drejtuesve të Bajernit. Bëhej fjalë për një situatë të akumuluar, pasi edhe në të shkuarën ata qëndrojnë aty dhe i bëjnë presion arbitrit, për më tepër që janë një klub shumë prestigjioz dhe askush nga klubet e tjera nuk i duron këto. Pra unë isha thjeshtë një sebep për atë zhurmë.
Megjithatë, situata agravoi shumë apo jo?
Natyrisht, e thashë që Bajerni është një klub i madh dhe në Gjermani, o je me Bajernin, o je kundër Bajernit. Ata kanë 1/3 e tifozëve, më shumë se 20 milionë dhe natyrisht që kanë potencë. Madje edhe në Federatën Gjermane.
Si duket situata te Hanovëri, ndonjë problem me trajnerin Heking? Në fillim të la në stol tani u riktheve në formacion...
Ndonjë problem nuk kam, të kuptohemi. Ai në fillim më la në stol, por unë nuk e vrisja mendjen, pasi e dija që tek unë do të kthehej.
Ok, por të hoqën edhe shiritin e kapitenit...
Jo, nuk ishte për faj të tij. Portieri jonë nuk bëhej dot kapiten pa votën time, e votova unë që u bë. Doja thjeshtë t'i tregoja trajnerit që unë di të jem edhe kështu, vetëm kaq. Heking është pak trajner me komplekse, pasi gjithnjë ka qenë një servil dhe dëshiron t'i ketë të gjithë ashtu.
Meqë jemi këtu, është folur se mund të qëndrosh në klub edhe pasi të kesh mbaruar karrierën e lojtarit. Ka dicka të vërtetë këtu?
Është e vërtetë që mund të qëndroj te Hanovëri. Për momentin ende nuk kemi biseduar konkretisht, por presidenti dëshiron të më ketë edhe më vonë. Unë kështu e kam llogaritur edhe jetën.
Altin, të kalojmë pak te Holanda. Në Amsterdam pate një konflikt me De Jong, do të vijojë në këtë ndeshje?
Jo, jo. Unë i kam zgjidhur problemet me të, s'besoj se do të ketë episod tjetër. Ndoshta ai s'luan fare...
Në fakt mund të luajë se u dëmtua Landzat...E kujton ende episodin në "Amsterdam Arena"?
Patjetër. Unë u habita në fakt, se ishte një ndërhyrje e kotë e De Jongut. Rezultati ishte 2-0 për ata dhe e pashë me bisht të syrit që po vinte, por nuk ma mori mendja se do të ndërhynte aq ashpër. Normalisht kur je 2-0, qetësohen gjërat. Vetëm kur e pashë veten që më la të shtrirë, ishte ndërhyrje e keqe shumë.
Ke luajtur shumë ndeshje me kombëtaren si protagonist. Kush mund të quhet më e madhja dhe që mund të krahasohet me Holandën?
Këto ndeshje janë edhe një reklamë e mirë për vetë futbollistët. Ndeshje të mëdha nuk mund të harrohet Anglia, Gjermania, Greqia dhe Holanda. Megjithatë, ndeshja numër 1 ka qenë Greqia. Në të gjitha aspektet, ajo ndeshje nuk harrohet.
Një koment për Holandën, sa shanse për barazim, për rezultat pozitiv, ka Shqipëria në sytë e Lalës?
Edhe fitorja rezultat pozitiv është ...(qesh)...Shiko, nuk mund të thuash me siguri. Mund të them vetëm që ndeshje të tilla varen nga episodet. Ata kanë lojtarë që mund të godasin nga 30 metra dhe të shënojnë, në të tilla raste s'ke c'i bën. Por, shpresoj që ata të mos fitojnë me Bullgarinë se me ne do kenë shumë presion dhe do hapen. Mund të përfitojmë jo pak.
Burimi: Altin Latifi, "Gazeta Shqiptare"
Ne foto: Altin Lala me Aril Shemilin, nje nga talentet e vegjel te futbollit shqiptar

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›