E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka-Bariç, dje 24 orë të “ngrira”. Sot takimi ne Durres

Dash Frashëri
Oto Baric bëri ndoshta udhëtimin më pak komod drejt Shqipërisë, kur vizita e tij është edhe më e rëndësishmja se ardhja e tij e parë në Tiranë, në qershor të vitit 2006. Udhëtimi i gjatë Zagreb-Vienë-Rinas e lodhi jo pak 75-vjecarin, destinacioni i parë i të cilit pas mbërritjes në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, nuk ishte rezidenca e Kombëtares, hotel "Adriatik" në Durrës (ku dhe ishte programuar qendrimi i tij), dhe as dhoma e tij e përhershme në Hotel "Rogner", por dhoma 812 në Hotel "Tirana International", ku kroati akomodohej për herë të parë. Një befasi kjo edhe për trajnerin aktual të Shqipërisë, me 10 ndeshje zyrtare e 4 miqësore në drejtimin e saj, kur i kanë mbetur edhe dy takime për të drejtuar kuqezinjtë në fushatën kualifikuese Euro 2008, kundër Bjellorusisë në Tiranë dhe Rumanisë në Bukuresht. BARICI FJALËPAK – Oto është i vetëdijshëm se midis tij (jo me dëshirën e tij) dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka, nuk ekzistojnë marrëdhëniet e mëparshme. "Temperatura" është e ftohtë dhe paralajmëron një dimër të shpejtë midis tyre. Barici mbërriti në Tiranë pa avokatin e tij, shqiptaro-austriakun, Skënder Fani, me ndihmën e të cilit nënshkroi një kontratë, që edhe nëse do të donte Duka ta shkarkonte (për trill) pa përfunduar eliminatoret, ish-trajneri i Autrisë do të përfitonte diferencën e pagesës. "Nuk e di se cfarë do të ndodhë. Do të takohem me presidentin dhe pastaj do të flas për mediat. Sidoqoftë unë e kam një cmim". Këtë fjali Baric e përsëriti disa herë në Rinas për gazetarët e pranishëm aty, duke refuzuar të japë më shumë detaje, për t'u ngujuar në dhomën e tij në katin e tetë të Hotel Tiranës. I kontaktuar nga "Albania-sport", Baric vetëm sa pranoi të thoshte se ishte i gatshëm të fliste pas 30 minutash, për të mos e ngritur më receptorin e telefonit të dhomës me numër 812, nisur edhe nga fakti se biseda e parë e tij me presidentin e FSHF-së, do të zhvillohej ditën e mërkurë. DUKA I QETË – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit e përjeton ndryshe situatën. Është ai që vendos për trajnerin, jo vetëm për kësaj radhe për Baricin, por për këdo që ka pasur dhe do të ketë Shqipëria, deri sa ai të gëzojë mandatin e presidentit dhe të drejtën ekskluzive që ia jep statuti. Edhe pse një duzinë gazetarësh sportivë u mblodhën në sallën e konferencave për shtyp të selisë së futbollit shqiptar, Duka vazhdoi i qetë punën e tij, në një takim konfidencial me presidentin e Partizanit, Albert Xhani. Edhe pse Baric ndodhet në Tiranë, Duka vendosi që takimi të shtyhej 24 orë. "Do të takohen nesër (sot), vendi dhe ora nuk dihet ende", - tha zëdhënësi i FSHF-së, Lysjen Nurishmi. "Do të jetë thjesht një bisede paraprake për të dëgjuar kushtet e njëri-tjetrit, por nuk do të vendosin asgjë, pasi pritet të vijë edhe avokati i Baricit, zoti Skënder Fani". Në lidhje me ndryshimin e akomodimit të trajnerit Oto Baric, Nurishmi nuk pranoi ta konsideronte se ishtë një presion indirekt mbi trajnerin. ALTERNATIVA REZERVE – Baric nuk është e vetmja alternativë për stolin e kombëtares. Edhe pse ai është më i miri nga 18 trajnerët që kanë drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë gjatë 62 viteve të jetës së saj. Nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, Dukës i është dhënë leja për fillimin e bisedimeve, në një delegacion të përbërë edhe nga ndihmësit e tij, Kasmi e Nuri. E gjithë media sportive ka shkruar se Baricit mund t'i propozohet një ofertë e ulët financiare, gati tri herë më pak se ajo që ai përfiton aktualisht (300 mijë euro). Slloveni Katanec, edhe pse ka deklaruar se nuk kishte marrë një ofertë nga Shqipëria dhe nuk do të pranonte të ishte trajneri i saj, por i Hajdukut të Splitit apo Partizanit të Beogradit, mbetet një kandidat potencial për stolin shqiptar. Katanec (përfiton rreth 200 mijë euro në Maqedoni) nuk është se ka marrëdhënie të shkëlqyera me shefat e futbollit të fqinjëve tanë dhe gjithmonë e më shumë është kundër rinovimit me ta pas përfundimit të eliminatorëve Euro 2008. PËRSË JO BARIC? Në 10 ndeshje zyrtare me Shqipërinë në kualifikueset e Euro 2008, Baric ka arritur 2 fitore (të dyja me Luksemburgun), 5 barazime dhe 3 humbje, duke qenë në vendin e katërt në Grupin G dhe më të gjitha mundësitë për të qenë në vazon e katërt në shortin e Botërorit 2010. Këto suksese nuk i ka arritur as kush më parë. Gjermani Brigel e mbylli aventurën e tij me Shqipërinë në vendin e pestë në grup dhe po vazon pesë në shortin e Kampionatit Europian. "Askush nuk ka thënë se Baric nuk mund të jetë sërish trajneri i Kombëtares dhe se atij do t'i ofrohet një ofertë e ulët financiare", - thotë për "Albania-sport"-n, përkthyesi i tij zyrtar, Ajet Xeka, i cili edhe pse ndodhej në Hotel "Tirana International", prezantonte një firmë gjermane që prodhonte pajisje që kishin të bënin me ujin. Në fakt, ndryshe nga italiani Dosena dhe gjermani Brigel (Duka fliste italisht me ta) të cilët ishin më të bindur me bosin e FSHF-së, "plakushi" Baric është sjellë më i pavarur me presidentin e FSHF-së dhe shumë nga vendimet e tij për largimet e lojtarëve (flagrant rast i Tares) apo dhe afrimin e të rinjve janë marrë pa e pyetur shumë punëdhënësin Duka. "Shikoje edhe një herë rastin e Tares", - ishte këshilla e Dukës, kur Barici vendosi të mos e thërrasë ish-kapitenin e Shqipërisë për ndeshjet zyrtare me Slloveninë në Tiranë dhe Bullgarinë në Sofje. Por, Barici nuk ndryshoi mendim. Që do të thotë, se këshilla e Dukës, e bosit të FSHF-së, nuk u konsiderua si e vlefshme nga punëmarrësi i tij. Sëmundja e tij e papritur para ndeshjes me Slloveninë është një tjetër minus i madh në "dosjen" e tij. 75-vjecari edhe pse mbahet ende i ri është një gjithmonë pre e sëmundjes së moshës së tretë. Tek e fundit, Baric nuk është trajneri i vetëm në botë që mund të pranojë të marrë Shqipërinë. Shumat e majme të një një federate futbolli i lakmojnë të gjithë. Baric, sot në Besa-Partizani Baric do të ndjekë kryesfidën e javës së 8-të të Kategorisë Superiore, takimin Besa-Partizani (sot ora 14:30). Nga lojtarët e të dy ekipeve ka nga një lojtar të thirrur prej tij në ndeshjet kundër Sllovenisë dhe Bullgarisë. Nga Besa është kapiteni Andi Lila dhe nga Partizani, Elis Bakaj, njëherësh edhe dy lojtarët më të mirë të dy ekipeve që kryesojnë me meritë kampionatin shqiptar. Para takimit në oren 11:00 Durrës (në Hotel "Adriatik") pritet edhe një takim punë midis Oto Baricit dhe presidentit Armand Duka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›