Starton kampionati i Minifutbollit

Ndërkohë që kampionatet e futbollit - ai 11 kundër 11 - të të gjitha kategorive kanë disa muaj që kanë filluar, sot do të nisë për të pestin vit radhazi kampionati i Minifutbollit, apo sic njihet shkurt, i "sallave të mbyllura" (5 kundër 5). Në këtë kampionat, i ndarë në tri faza, do të marrin pjesë 14 skuadra të ndara në dy grupe. Ndeshjet do të luhen mes skuadrave të cdo grupi dhe pastaj në fazën e dytë me sistem vajtje-ardhje. Në përfundim të fazës së dytë do të mblidhen skuadrat më të mira të dy grupeve, tetë skuadra dhe të gjitha këto do të ndeshen me sistem vajtje-ardhje, ku do të përcaktohen më të mirat dhe nga këto skuadra do të nxirren edhe lojtarët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në eliminatoret e Kampionatit Botëror. Skuadrat pjesëmarrëse në këtë kampionat janë: Ali Demi, 1 Maji, Teuta, Vllaznia, Partizani, Elbasani, dhe Skampa në grupin A, ndërsa në grupin B janë: Flamurtari, Antena Nord, Tirana, Besëlidhja, Pogradeci, Olimpik dhe Skënderbej.