Bufon: “E meritojmë Europianin”

Xhanluixhi Bufon është i gatshëm. Edhe pse në Gllazgou, Italia e tij do të luajë një nga ndeshjet më delikate të fushatës kualifikuese për Kampionatin Europian. Në "Hampden Park" do të provohet Italia e vërtetë dhe portieri është i bindur për rëndësinë e takimit. Një barazim do të ishte i kënaqshëm për kampionët e botës. Portieri i Juventusit pohon: "Italia e meriton të kualifikohet dhe nëse arrijmë të fitojmë kundër skocezëve, ajo do t'i kushtohet familjes së Gabriele Sandrit". Tifozit lacial të vrarë para disa ditësh. Skuadra "axurre" është e tëra e përqendruar në ndeshjen me Skocinë. "Kemi moralin dhe detyrën të paraqesim Italinë futbollistike në Gllazgou", - nënvizon portieri. "Ka një muaj që rezultatet e mundshme të ndeshjes Skoci-Itali më kalojnë në mendje. Një eliminim nuk e mendoj kurrë. Të mos kualifikohesh me 26 pikë do të ishte një befasi e madhe", - shton ai, kur Italia do të luajë ndeshjen e fundit në shtëpi me Ishujt Faroe. "Nëse do të shkojmë në Europian, - shtoi Bufon, - do të ishte kurorëzimi i një pune prej një viti e gjysmë. E meritojmë kualifikimin, edhe pse e nisëm keq, pas Lituanisë dhe Francës, besimi ishte në minimum. Më pas bëmë një ngjitje të madhe dhe na mungoi vetëm fitorja kundër Francës. Por tashmë me Donadonin kemi identitetin tonë. Ndryshoi Italia, punuam mirë. Ky trajner e ka një projekt".