Luksemburgu, bileta “euro” për Holandën

Holanda është e etur për të siguruar sa më shpejt një vend në finalet e Euro 2008-s, kur të shtunën do të përballet me skuadrën më modeste të Grupit G, në të cilin bën pjesë edhe Shqipëria. "Portokallinjtë" ndodhen të dytët në grup, me katër pikë më shumë se Bullgaria (e treta) dhe një fitore kundër Luksemburgut në Roterdam do t'u siguronte atyre një vend në finalet e pesta rresht të Kampionatit Europian, qysh nga triumfi i tyre në vitin 1998 dhe të tetën në total. Vetëm Gjermania dhe Italia kanë marrë më shumë herë pjesë. 49 mijë shikuesit në "De Kuip" mund të parashikojnë një fitore të lehtë kundër Luksemburgut. Holanda nuk ka pësuar asnjë gol nga "Dukata e madhe" gjatë 44 vjetëve, por në ballafaqimin e fundit me luksemburgasit skuadra e Van Bastenit vuajti jo pak kur fitoi vetëm falë një goli në minutat e fundit. Po të shkojmë më larg në histori, më 20 tetor 1963, Kamil Dimer shënoi dy gola në fitoren 2-1 të Luksemburgut, pikërisht në Roterdam, duke i nxjerrë Holandezët jashtë nga finalet e Kampionatit Europian 1964. Trajneri Marko van Basten e ka marrë seriozisht ndeshjen dhe parashikohet që në vend të skemës së tij të preferuar 4-3-3, të hedhë një formacion të përshtatur në 4-4-2.