E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenori Saimir Pirgu, me Domingon në skenën e Parisit

 

ALMA MILE

Mund të thuhet me plot gojën që ai është një djalë me fat. Është 27 vjeç, ka prekur skenat më të mëdha operistike të botës dhe ka punuar me njerëzit më të shquar të kësaj fushe. Prej 19 majit, tenori shqiptar Saimir Pirgu, është duke interpretuar në të njëjtën skenë, në të njëjtën opera me tenorin Placido Domingo. Bëhet fjalë për operën “Sirano dë Barzherak” të Franco Alfanos, e cila ka sot shfaqjen e fundit në Théâtre du Châtelet të Parisit. Një vepër e vështirë, me skena të shumta veprimi, me skena luftarake, ku vihet në përdorim skerma. Vepra është komentuar si një sukses i plotë dhe padyshim pjesë e kësaj “feste” është edhe tenori shqiptar. Pas interpretimit në skenën e Los Angelesit, e cila drejtohet nga Domingo në operën “Xhani Skiki” të Giacomo Puccinit, me regji të Woody Allen, Pirgu është propozuar sërish nga tenori, për të interpretuar, jo më një opera komike italiane, por një vepër franceze, tepër impenjative. Për shkak të karakteristikave të tij vokale, edhe këtë herë i duhet të interpretojë rolin e një të riu të dashuruar, atë të Kristianit. Ndërsa Domingo interpreton rolin kryesor, atë të Sirano dë Barzherak. Të tjerë interpretues ishin sopranoja franceze Nathalie Manfrino në rolin e Roksanës, baritoni francez, Laurent Alvaro në rolin e Razhëno, Marc Labonnette (De Guiche), Franco Pomponi në një rol të dyfishtë (Carbon dhe Valvert). Ndonëse në moshën 68-vjeçare Domingo ka mbajtur pa frymë publikun francez, madje ai është konsideruar si një fenomen i vërtetë. Edhe pse kishte kënduar në teatrin e tij, Pirgu, nuk e ka pasur të lehtë të interpretojë në krah të një legjende si Domingo, aq më tepër që vepra interpretohet në gjuhën frënge. Megjithatë Pirgu, nën petkun francez, ia ka dalë deri në fund. Vetëm pak kohë më parë, Pirgu përjetoi një tjetër sukses në skenën italiane, e cila është kthyer tashmë në një shtëpi të dytë. Që nga koha kur u largua nga Shqipëria me të vetmen pasuri, zërin e tij, Pirgu ka njohur vetëm ngritje. Ka lidhur kontrata të gjata me teatrin Shtetëror të Vienës, ka kënduar në Itali, Berlin, Los Angeles, Paris dhe kudo që ka shkuar ka marrë vetëm duartrokitje, madje kritika e ka vlerësuar edhe si Pavarotin shqiptar.

Vepra për Mussolinin
“Sirano dë Barzherak” e Franco Alfanos pati premierën e parë në vitin 1936 dhe i është kushtuar Benito Musolinit. Ajo u konsiderua si vepra që do të krijonte “një model të ri në operën italiane”. Është një opera me 4 akte dhe 5 skena, me libret të Livret de Henri Cain, mbështetur në veprën e Edmond Rostand.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›