E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barka: Kandidatët e Ramës, "qumështorë" në politikë

Me Partinë Demokratike jemi nënshtetas edhe të Greqisë edhe të Shqipërisë thotë kandidati i pestë i selisë blu në Qarkun e Vlorës. Kosta Barka rrëfen pse u bashkua me partinë e Kryeministrit Berisha.

Zoti Barka, ju jeni kandidat për PD-në në Qarkun e Vlorës. Çfarë ju lidh me këtë parti dhe pse vendosët të kandidoni për deputet?

Të kandidosh për PD, pa qenë anëtar i saj, për mua nuk përbën sakrilegj, por është një nder. Iu përgjigja ftesës pa mëdyshje, sepse katër vitet e qeverisjes së PD ishin më të mirat e viteve të tranzicionit për zhvillimin dhe integrimin e vendit, ishin më të mirat edhe për zhvillimin dhe afirmimin e minoritetit etnik grek. Tre vitet e mia të kontributit si ministër në qeverinë e PD-së më dhanë mundësinë për të njohur nga afër kryetarin e PD-së dhe Kryeministrin e vendit, zotin Sali Berisha, një shpirt punëtor dhe moderator, me vizion dhe me humanizëm. Si themelues i "Omonia"-s, nuk ndiej asnjë kompleks që kandidoj me flamurin e PD-së. Ky kandidim nuk më ka kufizuar të lë mënjanë flamurin e "Omonia"-s. Në PD kam marrë me vete edhe flamurin e "Omonia"-s. Sepse shoh që në qeverisjen e PD-së këto vite të drejtat e minoritetit etnik grek janë respektuar më mirë se asnjëherë tjetër, investimet në zonat tona kanë qenë më të larta se asnjëherë tjetër. Me PD-në jemi nënshtetas edhe të Greqisë edhe të Shqipërisë, me PD-në marrëdhëniet me Greqinë kanë arritur stadin më të lartë të zhvillimit.

Kandidoni në Qarkun e Vlorës e posaçërisht në Sarandë, por a keni një projekt tuajin për zhvillimin e këtij qyteti?

Unë ndihem sarandjot, jo vetëm pse kam jetuar dekada në këtë qytet, por edhe se më është dhënë mundësia ta tregoj veten të përkushtuar e njerëzor karshi halleve e shqetësimeve të tyre, ndërkohë që në këtë qytet kam kryer detyra të ndryshme drejtuese dhe prej andej shkova në postin e ministrit. Edhe kur ika në Tiranë, për mua Saranda mbeti si një shtëpi e dashur, si në kuptimin fizik edhe në atë shpirtëror, nga e cila nuk u ndava asnjëherë. Sarandjotët më kanë njohur dhe kanë sigurinë maksimale që do të jem si përherë, me predispozicion maksimal për të zgjidhur të gjitha problemet e tij. Kjo gatishmëri nuk është në vazhdën e premtimeve dhe sloganeve elektorale, por një fakt i provuar në të gjitha kohërat dhe elektorati im, bashkëqytetarët e mi, e dinë më mirë se kushdo tjetër këtë. Sigurisht që unë nuk di të flas me slogane, por me ato që ndiej se i duhen thellimit të ndryshimit të Sarandës. Pjesë e programit tim për këtë qytet është nxitja e zhvillimeve turistike, përmes bashkëpunimit më të mirë me fqinjët e ishullit të Korfuzit. Në një mandat të dytë të PD, Saranda nuk ka dyshim se do t‘i japë vetes shansin edhe të korrektojë vetveten në respektimin e ligjeve dhe të traditës së urbanizimit, në mbrojtje të mjedisit dhe në ofertën e vet turistike. Si gjithë shqiptarët, sarandjotët do të ndihen edhe më të mbrojtur nga politikat sociale të shtetit, më të sigurt në pronat dhe pasuritë e tyre, më të sigurt në bizneset e tyre.

Cilat janë avantazhet dhe dizavantazhet e ekipit të PD-së përballë kampit kundërshtar?

Mendoj se jemi të privilegjuar qysh në faktin që i përkasim një force politike, e cila ka realizuar një qeverisje që shqiptarët dhe bota e beson. Kjo periudhë ka qenë periudha e reformave të thella dhe të suksesshme edhe në fushën e punësimit dhe atë sociale. Janë hartuar dhe implementuar një sërë dokumentesh të rëndësishme politiko-ligjore, që janë historike në fushën sociale, të punësimit, të shanseve të barabarta, barazisë gjinore etj. Është tipar i kësaj qeverie që punën e saj e ka matur me tregues, larg demagogjive boshe të fjalëve. Ky është avantazhi më i madh i ekipeve të PD në çdo qark të vendit. Ndërsa si dizavantazh do të përmendja se asnjë prej kandidatëve të PD nuk e kalon nëpër mend e jo më të veprojë, sikurse shohim, duke e blerë votën, duke ofruar të holla apo me mashtrime që lidhen me legalizime apo hipotekime që ligji nuk i lejon.

Përtej garës elektorale, cilin prej kandidatëve kundërshtarë vlerësoni më shumë?

Ndihem vështirë të shprehem, pasi balancat nuk japin mundësinë e krahasimit. Skuadra politike që ka hedhur në fushëbetejën elektorale Edi Rama në Sarandë, nuk ka ku të mbahet. Ata mund të jenë emra të përveçëm në fushën e tyre, por duke qenë "qumështorë" në politikë dhe të vënë në lista vetëm për raportet shkollore apo personale me kryesocialistin, u kanë rënë më qafë figurave të tjera me kontribute të njohura, por "të djegura", që, po të kandidonin, do ta bënin më serioze dhe më emocionale garën.

CV

Kosta Barka

-Ka qenë nga viti 1978-1983 drejtor i ndërmarrjes së bakrit në Fushë-Arrës. Me pas, ka qenë pjesë e Ndërmarrjes së Gjeologjisë në Sarandë

-Aktiviteti i tij politik nis me themelimin e organizatës "Omonia" e më pas të PBDNJ

-Në 2005 mori detyrën e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

-Momentalisht, Barka është zëvendësdrejtor i Regjistrimit të Pasurive



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›