"Karburanti" përplas qeverinë me opozitën
Partia Socialiste deklaroi dje se Kryeministri ka shpenzuar 10 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, në mënyrë që ministrat e tij të furnizojnë me karburant makinat në pronësi të shtetit shqiptar. "Ky fakt është i pafalshëm. Edhe njëherë, Berisha dështoi, duke mos investuar në ato projekte, të cilat do të siguronin një ndryshim të prekshëm në jetën e shqiptarëve", tha anëtarja e Kryesisë së PS-së, Lindita Nikolli. Sipas saj, me paratë e çuara dëm për karburant, mund të ishte investuar në arsim dhe shëndetësi, mund të ishin rritur rrogat dhe pensionet për mbi 70000 individë. Sakaq, Ministria e Brendshme hodhi poshtë deklaratën e PS-së, duke sqaruar se prokurimi i këtij artikulli është kryer në bazë të ligjit të prokurimit publik dhe VKM-së për blerjen e përqendruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme.