SHBA: Bëni zgjedhje të qeta
Departamenti amerikan i Shtetit nxit politikën shqiptare të zhvillojë zgjedhje në përputhje me standardet e kërkuara. Zëdhënësi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranës, Biks Aliu, dha dje një mesazh të posaçëm për median. "Nxisim qeverinë e Shqipërisë dhe të gjithë aktorët politikë që të punojnë së bashku për të ruajtur një klimë paqësore, në të cilën të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të votojnë, ta bëjnë këtë duke qenë të qetë dhe në paqe më 28 qershor", deklaroi Aliu. Edhe një herë, nënvizoi ai, shprehim shpresën dhe pritshmërinë tonë që zgjedhjet që po vijnë të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Pak ditë më parë, ambasadori Amerikan në Tiranë, John Withers, deklaroi se "sondazhi i 28 qershorit është i vetmi sondazh i qeverisë amerikane dhe atë do ta bëjnë vetë shqiptarët. Legjitimiteti i çdo rezultati të zgjedhjeve varet nga transparenca me të cilën kryhet". Ambasadori u bëri ftesë qytetarëve të shkojnë të marrin letërnjoftimet elektronike, pasi standardi dhe integriteti i vendit varet edhe nga ata. "Zgjedhje të lira dhe të ndershme, që plotësojnë standardet, do të thotë që Shqipëria po lëviz më pranë aleancës. Çdo gjë më pak se kaq do të ishte shenjë regresi", deklaroi Withers. Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërhoqën vëmendjen e Shqipërisë lidhur me standardet që duhet të plotësojnë zgjedhjet e 28 qershorit. Withers nënvizoi se zgjedhjet e 28 qershorit përbëjnë gurin e një pikete shumë të rëndësishme për zhvillimin demokratik të Shqipërisë, zgjedhje të lira e të ndershme që plotësojnë standardet ndërkombëtare, do të tregojnë që Shqipëria po lëviz më pranë integrimit të plotë euroatlantik. Ambasadori Withers ftoi politikën dhe qytetarët të bashkëpunojnë për të bërë zgjedhje me standarde, në të kundërt çdo incident i regjistruar në zgjedhje do të jetë regres për Shqipërinë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë deklaroi se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 28 qershorit përbën një shans të mirë për Shqipërinë, për t‘u shkëputur nga e kaluara dhe për të konfirmuar progresin dhe forcimin e demokracisë së saj. Deklarata e diplomatëve amerikanë vjen vetëm një ditë pas qëndrimit të Presidencës së Bashkimit Evropian. Vendi që kryeson presidencën e BE-së, Çekia, përcolli mesazhin e bashkëpunimit për qeverinë shqiptare dhe të gjitha forcat politike që më 28 qershor të kemi zgjedhje paqësore dhe brenda standardeve. Në deklaratën e presidencës së radhës së BE-së, të shpërndarë në Tiranë, thuhej se Bashkimi Evropian po ndjek nga afër të gjithë procesin dhe se është në interesin e Shqipërisë që këto zgjedhje të jenë paqësore dhe që të vlerësohen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Deklarata ripërsërit se "zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë një test i rëndësishëm i pjekurisë demokratike dhe i vullnetit për të ecur përpara drejt integrimit të ngushtë me BE-në".