E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënoi deputetin, shoqërohet kryekomunari

Policia e Korçës ka shoqëruar tri persona, mes të cilëve edhe kryetarin e Komunës Mollaj, për incidentin me kandidatin e Partisë Socialiste, Alfred Dalipi. Ky i fundit, një ditë më parë denoncoi për kërcënim ndaj jetës së tij disa persona të cilët kanë penguar një takim elektoral në fshatin Dvoran. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se pas depozitimit të kallëzimit nga ana e kandidatit për deputet, kanë shoqëruar pranë komisariatit kryetarin e komunës, Ferdi Xhemo, si dhe dy persona të tjerë, Bilal Burimi dhe Gerald Burimi, të cilët akuzohen drejtpërdrejt nga ana e deputetit socialist për kanosje serioze për vrasje. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:20, kur gjatë një takimi elektoral të kandidatit socialist në fshatin Dvoran pati një konflikt midis Alfred Dalipit dhe tre shtetasve në fjalë. Policia ka thënë se pas denoncimit të deputetit Dalipi, ky i fundit ka pretenduar se ka pasur debate për motive politike dhe më tej është kërcënuar nga ana e tri personave që janë vënë nën akuzën e kanosjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›