Barka: “Ligj për mbrojtjen e fëmijëve”
Hartimi i një ligji integral që jo vetëm do të garantojë të drejtat e ligjshme të fëmijëve, por edhe të përcaktojë saktë edhe institucionet përgjegjëse që ngarkohen t’i garantojnë këto të drejta do të jetë mbrojtja më e mirë për fëmijët. Sipas ministrit të Punës, Kosta Barka, tashmë ka ardhur koha për hartimin e një ligji të tillë. Hartimi i një legjislacioni bashkëkohor që ofron mbrojtjen më të mirë për fëmijët, është një nga angazhimet më të fundit të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Për këtë objektiv prioritar, ministri Kosta Barka zhvilloi dje një takim me përfaqësues të UNICEF-it në Shqipëri për të kërkuar bashkëpunimin dhe ndihmën e ekspertëve të saj për hartimin e një Kodi për Fëmijët. Ministri Barka vlerësoi nivelin e lartë të bashkëpunimit mes Ministrisë që ai drejton dhe Organizatës së OKB për fëmijët–UNICEF, në fushën e ngritjes dhe zbatimit të politikave efikase për mbrojtjen e fëmijëve. Ndërsa Carry Auer, përfaqësuese e UNICEF-it, theksoi se hartimi i një Kodi për Fëmijët në Shqipëri është edhe një nga kërkesat kryesore të shprehura nga Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në OKB dhe iniciativa e Ministrisë së Punës për rishikimin e legjislacionit në fushën e të drejtave të fëmijëve do të ketë plotësisht mbështetjen financiare dhe në ekspertizë të UNICEF-it.
13 Maj 2008