E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët, KLD tri kritere vlerësimi



Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e fundit të zhvilluar në Tiranë, ka miratuar sistemin e ri të vlerësimit të gjyqtarëve. Dokumenti i konsideruar si një nga reformat kryesore në menaxhimin e gjykatave, është miratuar me votat e shumicës së anëtarëve. Burime zyrtare nga KLD-ja pohuan dje se sistemi i ri përfshin aspekte profesionale dhe etike, të cilat do të analizohen dhe do të vlerësohen në punën e gjyqtarëve. Sipas burimeve nga KLD, në mbledhjen e fundit, anëtarëve iu bë e ditur përmbajtja e projektvendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë “Për vlerësimin e aftësive profesionale dhe etike të gjyqtarëve”. Pasi u njohën me përmbajtjen e projektvendimit, anëtarët kanë dhënë sugjerimet e tyre në lidhje me draftin dhe më pas kanë vendosur miratimin e tij. Menjëherë pas kësaj, Këshilli i Lartë i drejtësisë pritet të fillojë zbatimin e skemës së re të vlerësimit të gjyqtarëve. Kjo skemë parashikon tri kolona bazë për vlerësimin e gjyqtarëve, duke futur për herë të parë në këtë vlerësim edhe etikën, duke bërë një skemë meritash me pikë. Kolona e parë e vlerësimit është administrimi i procesit gjyqësor, që përfshin kohëzgjatjen e gjyqeve, më tej vlerësimi do të bazohet në numrin e dosjeve të gjykuara brenda vitit kalendarik dhe në cilësinë e vendimeve gjyqësore të dhëna. Etika si element shtesë i vendosur në sistemin e ri të vlerësimit të gjyqtarëve do të shikohet në mënyrën e administrimit të procesit gjyqësor.
Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka ngritur edhe një Komision pune për projektligjin “për bazat e të dhënave shtetërore”. “Pasi diskutoi në lidhje me projektligjin “Për bazat e të dhënave shtetërore”, në përfundim vendosi të ngrejë një grup pune të përbërë nga anëtarët e Këshillit: Lefteri Lleshi, Neshat Fana dhe Shkëlqim Miri, të cilët do të përgatisin materialin përkatës, për ta diskutuar më pas në një mbledhje të ardhshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, thanë burimet zyrtare nga KLD-ja. Më tej në mbledhjen e fundit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur të kryejë edhe disa delegime gjyqtarësh në rrethe, sipas vendeve të mbetura vakante në këto gjykata. Me vendim të KLD-së është vendosur të delegohet nga Gjykata e Shkodrës, në Gjykatën e rrethit Tropojë, gjyqtari Bezart Kaçkini. Po kështu është vendosur të delegohet për kryerjen e gjykimeve në Gjykatën e Tropojës, edhe gjyqtarja Mimoza Margjeka, aktualisht gjyqtare në rrethin e Durrësit. Anëtarët e KLD-së në mbledhjen e fundit të zhvilluar në Tiranë kanë diskutuar edhe rregulloren e re të zgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Gjykatave të Apelit. Sipas burimeve nga KLD-ja, me shumicë votash është vendosur që kandidatët për gjyqtarë apeli të pranohen në konkurrim vetëm nëse vijnë nga brenda sistemit. Sipas këtij vendimi, kandidatët për në Gjykatën e Apelit duhet të jenë gjyqtarë të Shkallës së Parë ndërsa nuk pranohen në konkurrim avokatët, dhe juristët e profileve të tjera.

Propozimi për konfliktin e interesit
Gjatë mbledhjes së fundit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani ka kërkuar dorëheqjen e disa anëtarëve që kanë kandiduar për në Gjykatën e Apelit. Duke qenë se kandidaturat duhet të votohen në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Ministri i Drejtësisë ka kërkuar që anëtarët e KLD-së të shmangin konfliktin e interesit duke hequr dorë në momentin që shpallin kandidimin e tyre në Gjykatën e Apelit. Ministri e ka hedhur këtë propozim në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjatë diskutimeve mbi rregulloren e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatat e Apelit.

Kërkesa e Nishanit nuk është hedhur në votim
TIRANE – Propozimi i bërë nga Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, për shmangien e konfliktit të interesit nga disa anëtarë të KLD-së, nuk është hedhur në votim nga Këshilli. Sipas burimeve zyrtare, një propozim i tillë është hedhur gjatë diskutimeve mes anëtarëve, por nuk është paraqitur në mënyrë zyrtare në KLD. Anëtarët e këtij të fundit kanë pohuar se derisa nuk janë verifikuar se janë në konflikt interesi me vendime të Këshillit nuk do të ndërmarrin iniciativa. Ndërkohë Ministria e Drejtësisë pohon se propozimi i kreut të saj Bujar Nishani ka qenë konkret dhe me qëllimin që anëtarët e KLD-së të legjitimojnë vendimet e institucionit, duke mos u bërë pjesë e votimit në momentin kur kandidatë janë vetë ata. Propozimi i Ministrit të Drejtësisë pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme në KLD.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›