Dibër, gjendet varri me eshtrat e të vrarit të fundit të komunizmit
Ferdinand Dervishi
Eshtrat e një të ekzekutuari të komunizmit janë gjetur këto ditë në Dibër, saktësisht në afërsi të vendit të quajtur Ura e Locës, në aksin rrugor Peshkopi-Kukës. I ekzekutuari Enver Faslli Osmani është akuzuar për tradhti ndaj atdheut, dënuar me vdekje në shkurt të vitit 1987 dhe pushkatuar dy muaj më pas, në prill, në prani të një komisioni. Rasti i tij i është nënshtruar procedurave të njohura të kohës, është dënuar në të gjitha shkallët e gjykatave me vdekje, nuk është falur nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, është urdhëruar përmbushja e vendimit nga ministri i Brendshëm, në bazë të urdhrit të të cilit, në Dibër është ngritur një komision për ekzekutimin, i drejtuar nga kreu lokal i prokurorisë. Zbulimi i vendvarrimit është bërë këto ditë nga task-forca e ngritur me qëllim gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të personave të ekzekutuar apo vdekur në burgje gjatë regjimit komunist. Ndërkohë që për gjetjen dhe vendvarrimin janë lajmëruar familjarët e të ndjerit, të cilët pas vitit 1991 janë munduar, pa sukses, të mbërrinin në një zbulim të tillë.
Një histori e pabesueshme
Po të shfletosh dokumentet, historia e arrestimit, ndërtimit të akuzave dhe dënimit të Enver Osmanit duket shumë fantastike për t’u besuar. Skenari është i tillë: Një bari dhish futet në kontakt me agjenturën jugosllave dhe bëhet aq shumë i rrezikshëm për shtetin e popullin shqiptar, sa duhet të ekzekutohet me vdekje. Vendimi është marrë në vitin 1987, kur era e ndryshimeve të ardhme kishte nisur të frynte në të gjithë Evropën lindore.
Ky gjykim vjen pasi provat e sjella për dënimin e Enver Osmanit nisnin me “siç ka pohuar vetë i pandehuri” dhe përfundojnë me “se ai është një personazh i infektuar, pasi atij, vite më parë, pushteti popullor i ka pushkatuar dajën nën të njëjtat akuza, pra për spiunazh, apo si bashkëpunëtor i UDB, shërbimit sekret jugosllav”. Pra ka shumë të ngjarë që Enver Osmani të ketë qenë në listat e Sigurimit të Shtetit vetëm e vetëm sepse ishte nip i dajës së pushkatuar. Pastaj të tjerat dihen.
Ja edhe akuzat ndaj Osmanit sipas vendimit të gjykatës: “Siç ka pohuar edhe vetë i pandehuri Enver Osmani, në verë të vitit 1975, kur kulloste dhitë e fshatit brenda klonit në Gjoricën e Poshtme, është takuar me një agjent të zbulimit jugosllav, që ishte futur në territorin e shtetit tonë si diversant dhe ka pranuar propozimin e tij për t’u vënë në shërbim të zbulimit jugosllav duke i dhënë kësaj agjenture armike të dhëna me karakter ushtarak, politik dhe ekonomik në dëm të vendit tonë. Ky i pandehur është treguar i gatshëm për t’u futur në rrugën e veprimtarisë armiqësore jo vetëm për shkak të karakterit të tij të dobët dhe të shpërblimit në të holla, që i dha në takimet e para diversanti dhe që i premtoi edhe në të ardhmen, por edhe për shkak të predispozicionit armiqësor që ka pasur, sepse, daja i tij, Alush Krusa, është dënuar me vdekje në vitin 1951 nga gjykatat tona si bashkëpunëtor aktiv i UDB-së dhe pjesëmarrës në bandat e armatosura. Gjatë viteve 1975-1985 ky i pandehur është takuar disa herë me kuadro të zbulimit jugosllav. Në këto takime agjenturore, ku çonte të dhëna me karakter ushtarak, politik dhe ekonomik, i pandehuri Enver Osmani, ka marrë herë pas here detyra për të vjedhur, djegur e shkatërruar njësi dhe objekte të ndryshme të pasurisë socialiste me qëllim që të dëmtohej rëndë ekonomia socialiste, të krijohej panik e pasiguri në popull dhe shqetësime për organet e partisë dhe të shtetit tonë duke tërhequr në këtë veprimtari armiqësore edhe persona të tjerë...”
Më tej në vendimin e Gjykatës së Lartë, përshkruhet edhe më hollësisht “veprimtaria armiqësore” e Enver Osmanit dhe njëkohësisht legjitimohet dënimi me vdekje: “Dënimi me vdekje i të pandehurit Enver Osmani është plotësisht i justifikueshëm, sepse veprimet e tij, sidomos diversioni, janë me rrezikshmëri shumë të madhe shoqërore. Ai ka djegur objekte të rëndësishme dhe ka kryer vjedhje me thyerje në 14 njësi duke tentuar apo përgatitur për të djegur e vjedhur edhe disa objekte të tjera, përfshirë edhe një depo ushtarake me municion. Nga kjo veprimtari e egër armiqësore e tij i është shkaktuar ekonomisë socialiste një dëm efektiv prej 686.169.70 lekë, pa përmendur shumat e mëdha për të cilat veprat kanë mbetur në tentativë për shkaqe të pavarura nga i pandehuri. Nga ana tjetër edhe vetë i pandehuri Enver Osmani ka personalitet të keq dhe përbërje jo të mirë politike, një dajë i tij është dënuar në vitin 1951 me vdekje për veprimtari armiqësore”.
Pra bariu i deleve jep të dhëna me karakter “politik dhe ekonomik” dhe tentohet t’i shtohet në llogari edhe shuma e dëmit për “vepra penale të mbetura në tentativë”. Mjafton kaq për të vënë në dyshim gjithë punën e prokurorisë dhe interpretimin e gjykatës, mjafton kaq për të kuptuar se komunistëve shqiptarë, në këto vite, duket u është dashur një reprezalje në Dibër për të bërë gjithë të tjerët të ndiejnë frikë e tmerr, që të ulnin kokën dhe të mos u silleshin rrotull mendime ndryshe.
Ekzekutimi i vendimit
Vendimi final për dënimin me vdekje të bariut Enver Osmani, 29 vjeç, është dhënë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i kryesuar nga E. Selenica me ndihmës F. Abdiun dhe Sh. Muçin dhe mban datën 28 shkurt 1987. Presidiumi i Kuvendit Popullor në mbledhjen e tij të datës 6 prill 1987 nuk i ka falur jetën bariut nga Dibra si dhe një tjetër personi nga Korça, edhe ky i akuzuar për “tradhti ndaj atdheut”. Vendimi është firmosur nga Sekretari i Presidiumit, S. Tozaj. Për rrjedhojë më 10 prill 1987, ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, urdhëron me anë të një shkrese: “...ditën e shtunë në orën 04:00 ngarkoj për zbatimin e këtij vendimi Degën e Punëve të Brendshme Dibër”. Dokumenti i fundit i mbajtur për bariun “e tmerrshëm” është ai i ekzekutimit me vdekje të cilin po e sjellim të plotë:
Sekret
Ekzemplar Nr...
Peshkopi më 11/4/1987
Procesverbal për ekzekutimin e një vendimi me vdekje
Në vendimin e gjykatës popullore të rrethit Dibër Nr. 20 datë 14.2.1987 Enver Faslli Osmani, i datëlindjes 1958, nga fshati Gjoricë e Poshtme, është dënuar me vdekje për tradhti ndaj atdheut, diversion, sabotim, vjedhje të pasurisë së tjetrit dhe armëmbajtje pa leje. Këtë vendim Presidiumi i Kuvendit Popullor në mbledhjen e datës 6.4.1987 e la në fuqi dhe nuk i fali jetën.
Në bazë të Urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme dërguar me shkresën Nr. 566/2 datë 10.4.1987, në prezencë të shokëve Saliko H, Prokuror i Rrethit Dibër, hetuesit të rrethit Dibër Petrit H, mjekut të degës së Brendshme Dibër, Hajrulla M., dhe shokut Adem K., me cilësinë e sekretarit, në datën 11.4.1987 ora 04:00 në vendin e quajtur Ura e Grazhdanit u krye ekzekutimi me pushkatim i të dënuarit Enver Faslli Osmani...”
Dokumenti është firmosur nga hetuesi Petrit H., mjeku Hajrulla M., prokurori i rrethit Saliko H., dhe sekretari Adem K.
Fjala e fundit
Në të njëjtin dokument, atij të ekzekutimit me komision, përshkruhet edhe momenti kur të dënuarit i kërkohet fjala e fundit. Në këtë pikë Enver Osmani ka kërkuar që të vijë e ta takojë vetë Ministri i Brendshëm Hekuran Isai, pasi ai “do i thoshte diçka shumë të rëndësishme”. Kjo kërkesë e fundit është zbatuar në njëfarë mënyre, pasi në vend të ministrit, para të dënuarit është paraqitur zv/ministri i Brendshëm. Por i Enver Osmani nuk e ka hapur gojën. Kjo sjellje mund të ketë ngjashmëri me atë të dënuarit tjetër me vdekje, të së njëjtës periudhë, Isuf Haluci, nga Tropoja, i cili me anë të një rrengu të ngjashëm, duke pretenduar para ministrit Hekuran Isai për një thesar të fshehur, arrin t’i shpëtojë pushkatimit, pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor, kuptohet falë kësaj dredhie, e fali. Ka të ngjarë që edhe Enver Osmani të kishte planifikuar një histori të ngjashme, ose thjesht e ka bërë gjithçka vetëm për të fituar kohë. Përfundimisht bariu i deleve, njeriu që sipas dokumenteve të prokurorisë dhe vendimeve të gjykatës, tmerronte një shtet të tërë, është pushkatuar pa e hapur gojën.
Eshtrat e Dajtit
Në fillim të shkurtit të këtij viti, në Tiranë, në rrëzë të malit Dajt, në afërsi të Linzës, u zbuluan eshtrat e 19 të ekzekutuarve të regjimit komunist. Ky zbulim bëri që Qeveria me anë të vendimit Nr. 133, të datës 24 shkurt 2010, të vendoste krijimin e një task-force për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të personave të ekzekutuar apo vdekur në burgje gjatë regjimit komunist.
Eshtrat e Ballshit
Pak ditë më parë në faqet e gazetës “Panorama” u lajmërua zbulimi nga task-force i një varreze të burgosurish të kohës së komunizmit. Varreza gjendet në fshatin Panahor të Ballshit dhe ka shërbyer për varrosjen e të burgosurve të Burgut të Ballshit, që ndërtonin uzinën e përpunimit të naftës. Sipas të dhënave të task-force në këtë varrezë janë ende eshtrat e 30 të dënuarve.