E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita në shesh, e ndarë në protestë

 

BLEDAR HOTI

Luftë pankartash dhe flamujsh në protestën e opozitës. Tubimi i opozitës, i dyti pas tragjedisë së Gërdecit, përveç mesazheve politike që përcolli, u përfshi nga fillimi i saj deri në fund nga një luftë pankartash dhe flamujsh mes dy forcave kryesore opozitare, PS-LSI. E ndërsa LSI dhe parti të tjera opozitare kishin grumbulluar simpatizantët dhe mbështetësit e tyre në sheshin “Skënderbej”, siç edhe ishte lajmëruar, PS-ja me të rinjtë dhe drejtuesit e saj ka dalë në një grupim të madh nga rruga që të çon për tek selia rozë, duke mbajtur pankarta të shumta në duar që kërkonin siguri, drejtësi dhe etiketonin Sali Berishën si përgjegjësin kryesor të kësaj situate. Më pas ky grupim është bashkuar me pjesën tjetër, duke nisur kështu marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të mbaheshin fjalimet e rastit. Që në fillim të marshimit pankartat e PS-së dhe LSI-së u përplasën me njëra-tjetrën. Situata e ndezur politike mes dy partive gati sa nuk i çoi të rinjtë që mbanin pankartat në grushte me njëri-tjetrin. Një nga të rinjtë e PS-së që dirigjonte kreun e turmës, nuk ishte dakord që të rinjtë e LSI-së të vendosnin para PS pankartën duke acaruar situatën që në nisje të protestës. “Me Sali Berishën nuk ka reforma, vetëm viktima”, ishte pankarta e LSI-së, të cilën të rinjtë kërkonin ta vendosnin në krye të protestës, duke u bërë kështu dhe lajtmotivi kryesor i saj. Kjo ishte një thirrje mjaft e fortë dhe kishte alternativën e saj të selisë rozë, si lajtmotiv të protestës. “Siguri për jetën barazi para ligjit”, ishte slogani i PS-së në protestën e saj për sigurinë dhe drejtësinë. Më pas, marshimi i qytetarëve vazhdoi i qetë dhe me pak parulla kundër kryeministrit Berisha dhe pro kryetarëve respektivë të partive opozitare. Qëndrimet e para paralajmëronin qëndrime të ftohta dhe të kundërta përsa i takon qëndrimit të palëve rreth mënyrës se si do duhet të zbardhet Gërdeci dhe vdekja e Kosta Trebickës. Në tryezën e partive opozitare të ditës së mërkurë, por dhe dje, të gjitha partitë opozitare vendosën që të mos përdornin simbolet partiake, duke i dhënë kështu një dimension qytetar protestës, që duhet të prekte jo interesat partiake, por ato të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht ngjyrave partiake. Por ky “betim” u respektua nga PS-ja gjatë marshimit deri tek ‘Parku Rinia’, kur disa të rinj shpërndanë në mënyrë të shpejtë flamuj të PS-së me trëndafilin e internacionales socialiste. Ka qenë ky moment që grupimet e simpatizantëve të të dy partive, të thërrisnin në kor në favor të partisë dhe kryetarit të tyre, duke i dhënë protestës ngjyra krejt partiake. Por në gjithë këtë klimë, sfondin e plotësonte marshimi në heshtje dhe në distancë i Edi Ramës dhe Ilir Metës, të cilët gjatë gjithë protestës ishin krejtësisht në distancë nga njëri-tjetri nën shoqërinë e drejtuesve të partive të tyre. Pas veprimit të socialistëve me flamurët, edhe LSI u mundua të rikuperonte sado pak “dëmin” e shkaktuar në imazh, duke treguar edhe ajo me simbole prezencën e saj. Kjo garë ka vazhduar edhe gjatë fjalimeve në foltoren e improvizuar përpara Kryeministrisë. Edhe pas mbarimit të fjalimeve, Meta dhe Rama vazhduan në mënyrë të pavarur rrugëtimin e tyre, pa arritur t’i japin dorën njëri-tjetrit, duke lënë pas një pikëpyetje të madhe se cila do të jetë e ardhmja e bashkëpunimit opozitar.     

Banorë të Gërdecit në protestën para Kryeministrisë

Në fjalimet e rastit poshtë dritares së Kryeministrit Berisha, organizatorët kishin marrë dhe banorë të Gërdecit. Ishin dy banorë të fshatit që u bë i njohur në të gjithë botën në 15 mars të këtij viti, që treguan dhimbjen e tyre për shkatërrimin e pësuar dhe humbjen e të afërmve. Një grua nga Gërdeci, e cila kishte humbur burrin e saj në këtë shpërthim, me zë të dridhur kërkonte largimin e Berishës si përgjegjësin kryesor për këtë tragjedi. Ata i konsideruan mashtrime premtimet e Berishës gjashtë muaj më parë për kompensim të dëmeve të shkaktuara dhe rikthimin e jetës së tyre në normalitet.

Berisha: Rama i pashpresë,të durojë deri në zgjedhje

Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar dje ashpër kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, nga turi i tij i inaugurimeve në Kamëz. Kreu i qeverisë theksoi se kundërshtari i tij politik tani është i pashpresë dhe zgjedhjet e ardhshme do ta nxjerrin atë humbës. “Kryetari me korrespodencë i Bashkisë së Tiranës ka hyrë në ethe të thella dhe përçartet çdo ditë. Unë dua t’i them: Zoti kryetar, me shpifjen, mashtrimin, trillimin që i ke shndërruar në shtyllat kryesore të politikës tende, je pa asnjë të ardhme. Zoti kryetar, nuk ka ilaçe, nuk ka sulfate që të ulin temperaturën tënde të madhe. Ti je i pashpresë”, u shpreh dje Berisha. Sipas tij, “ndaj bëhu burrë dhe priti me durim zgjedhjet, që të marrësh verdiktin e qytetarëve shqiptarë, të cilët ti, zoti Rama, me trillimet dhe mashtrimet që fabrikon çdo ditë i konsideron qenie për t’u gënjyer dhe për t’u mashtruar. Por shqiptarët kanë sot sensin e lirisë. Shqiptarët kanë mençurinë për të dalluar qartë se kush mban premtimin, se kush thotë të vërtetën dhe se kush përpiqet t’ju mbushë mendjen me shpifje, trillime dhe mashtrime”. Gjatë ditës së djeshme kreu i qeverisë inauguroi përfundimin e fazës së parë të rrugës që lidh Laknasin me Tiranën (investim me vlerë 76 milionë lekë), fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në Laknas, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 50 milionë lekë, mbylljen e fazës së parë të linjës 20KW në Bathore, investim me vlerë 5 milion dollarë, përfundimin e fazës së dytë të rikonstruksionit të rrugës në lagjen Bathore 6, investim me vlerë të përgjithshme 126.8 milionë.

Rama: Pushteti i qytetarëve jo me dhunë, por me zgjedhje

Ne nuk do të ngulim flamujt e interesave partiake në kraterin e masakrës së Gërdecit.

 Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama iu drejtua dje qytetarëve të mbledhur në sheshin para Kryeministrisë për të protestuar për sigurinë në vend, duke thënë se “nuk do të vëmë interesat e partisë mbi interesin e të gjithë qytetarëve, qofshin socialistë, qofshin demokratë, për zbardhjen e një të vërtete, pa të cilën ky vend nuk ka më dinjitet, kjo shoqëri nuk ka më siguri dhe për fëmijët tanë nuk ka më shpresë”. Sipas kreut të socialistëve, qytetarët e mbledhur në kryeqytet gjatë mitingut të opozitës, ishin në atë vend për të dëshmuar se Shqipëria e ka një shpresë dhe një forcë dhe që sipas tij është pikërisht forca e bashkimit. “Ne jemi këtu, sot, për të dëshmuar se Shqipëria nuk është e kryeministrave, por është e qytetarëve, se Shqipëria nuk e pushtetarëve, por është e qytetarëve, se Shqipëria nuk është e interesave të disave, por është e të ardhmes së përbashkët të të gjithëve. Ne jemi këtu sot për të dëshmuar se të gjithë, socialistë e demokratë, në të gjithë Shqipërinë, burra e gra, kanë nevojë sot për siguri në një vend ku vdesin në punë, ku vdesin në rrugë, ku vdesin në festë”, vijoi më tej Rama. Sipas liderit të opozitës “Ne jemi këtu për të dëshmuar se duam një Shqipëri, ku shteti të na dalë zot dhe ku të mos thotë se unë nuk kam lidhje me çka ndodhi, pavarësisht se 26 u vranë, pavarësisht se qindra të tjerë u plagosën, pavarësisht se mijëra shtëpi e prona u rrafshuan. Por kemi nevojë për një shtet që të jetë në gjendje që të na sigurojë të gjithëve nderin, dinjitetin, punën e cila sot në Shqipëri është ankthi i madh i të gjitha familjeve shqiptare”. Para të pranishmëve, kreu i PS-së tha se vendi tani nuk ka më nevojë për një shtet dhe për këtë kryeministër, i cili sipas Ramës, është i dyshuari i madh i asaj që ndodhi në Gërdec. Kreu i PS-së theksoi se Berisha është i dyshuari i madh i të gjitha ngjarjeve që kanë ndodhur zinxhir që pas Gërdecit, duke përfshirë këtu edhe tentativat për t’i bërë shantazh organit të akuzës në zbardhjen e kësaj ngjarje ku mbetën 26 të vrarë. “Ne kurrë nuk do t’ia japim Sali Berishës shansin të fshehë vërtetën pas tymit të një lufte për interesa të vogla partiake dhe meskine. Ne do t’i japim të gjithë mbështetjen si qytetarë, si njerëz që kërkojnë të jetojnë në një vend me siguri dhe drejtësi, do t’i inkurajojmë prokurorët e Republikës, që të çlirohen një herë e mirë ligjërisht, në mënyrë që e vërteta të dalë dhe në mënyrë që të vërtetën në këtë vend, më në fund të mos ta nxjerrin të vdekur nga goja e tyre politikanët, por ta nxjerrin nga e drejta kushtetuese, drejtësia”, theksoi më tej Rama. “Unë ju them miqtë e mi, se ka vetëm një rrugë për të dalë nga errësira, ka vetëm një rrugë për të parë dritën në fund të këtij tuneli, që vazhdon prej 17 vjetësh. Kjo është rruga e bashkimit të madh, të qytetareve dhe qytetarëve të Shqipërisë, në radhë të parë si shqiptarë e shqiptare, si prindër, si nëna, si baballarë, si motra, si vëllezër, e pastaj si socialistë e demokratë. Për t’i dhënë jetë pushtetit të qytetarëve, jo me dhunë, por me zgjedhje të lira”, mbylli fjalën para të pranishmëve në mitingun e djeshëm kreu i PS-së, Edi Rama.

Meta: Të ikë Berisha, është i gatshëm të vrasë për aferat

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka qenë i qartë dhe mjaft i ashpër në fjalën e tij mbajtur në tubimin e opozitës. Sipas tij, e keqja e Shqipërisë ikën bashkë me ikjen e Sali Berishës nga pushteti. “Ne të gjithë sot së bashku, qytetarë dhe opozitarë, atdhetarë të përgjegjshëm, kemi vetëm një thirrje për Sali Berishën: Ik Sali Gërdeci se ti vetëm të zeza mund t’i sjellësh këtij kombi”, tha Meta. Gjatë fjalës së tij, Meta renditi një sërë fatkeqësish që i kanë ardhur shqiptarëve nga mënyra se si qeveris Berisha. “Ai solli mundin e një populli të tërë me piramidat në 1996. Ai firmosi vdekjen e 3000 shqiptarëve në ’97. Ai veshi me të zeza mijëra nëna e motra. Është ai që po e zhyt Shqipërinë në papunësi, është ai që e mban Shqipërinë pa ujë e energji”, tha Meta. Kreu i LSI-së ishte i qartë gjatë fjalës së tij për mënyrën se si mund të shmangen tragjeditë në vend, duke kërkuar vetëm largimin e Berishës. “T’i besosh sot Sali Berishës do të thotë t’i japësh oksigjen antiligjit dhe antishtetit dhe të presësh viktimat e radhës së politikë së tij. Ndaj, ndalja e këtij rreziku është domosdoshmëri. Por, ajo kërkon kurajo, qartësi, e mbi të gjitha liri veprimi, siç po e demonstron sot edhe qytetaria nga mbarë Tirana dhe Shqipëria”, tha Meta. Ai akuzoi Sali Berishën se “ai është njeriu i izolimit, që po rihap sërish luftë me Amerikën si në ‘97, këtë herë duke mos zbardhur Gërdecin”. Meta ka siluruar indirekt edhe aleaten e tij të madhe, PS-në. “T’i besosh sot Sali Berishës, do të thotë t’i japësh oksigjen rrezikut që ai përfaqëson. Ndaj, askush nga ne nuk duhet të ketë iluzionin që ky njeri, kryegënjeshtar dhe i papërgjegjshëm të thotë: ja ku më keni, më hetoni dhe më dënoni. Jo. Atë ne do ta çojmë të gjithë së bashku përpara drejtësi, sepse një Kryeministër, i cili është akuzuar, jo vetëm nga qytetarët shqiptarë, jo vetëm nga dëshmitari i ndjerë që humbi jetën në një aksident krejtësisht të dyshimtë para pak ditësh, zoti Trebicka, por është akuzuar nga gazetat dhe nga mediat më të mëdha të botës, ashtu siç u akuzua në ’97", tha Meta. Ai renditi edhe pyetje të tjera: “Apo do bëjmë reformë me këtë njeri në Kodin Zgjedhor, a mund të bëhet kjo me njeriun që gjakosi opozitën dy herë!? Apo do bëjmë reformë në drejtësi me këtë njeri që ka konfliktin më të mprehtë të interesit me drejtësinë!?”. Meta tha se Sali Berisha është përfituesi kryesor nga të gjitha aferat korruptive. “Të gjithë e dimë se Berisha është i gatshëm të vrasë për të ruajtur aferat, por ne do ta çojmë të gjithë së bashku përpara drejtësisë. Meta e mbylli fjalën e tij me thirrjen: “Ik Sali Gërdeci, se ti vetëm të zeza mund t’i sjellësh këtij kombi!”

Bllokimi i autobusëve, Bello: Është e qëllimshme

Policia Rrugore e Kavajës ka bllokuar dje rreth 10 autobusë me simpatizantë socialistë, të cilët udhëtonin drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Ishte deputeti socialist Marko Bello, i cili ka denoncuar këtë veprim të Policisë Rrugore, e cila i ka mbajtur të palëvizshëm autobusët që vinin nga Berati, Vlora, Fieri dhe Korça drejt Tiranës, për rreth një orë në bay pass-in e Kavajës. “Është e qëllimshme, pasi nuk mundet që në pikun e qarkullimit, rreth orës 16:00 të shtrohet me asfalt ura në segmentin Kavajë-Durrës. Kjo më duket absurde, pasi në mëngjes kur kalova në këtë segment, nuk po kryheshin punime në rrugë nga asnjë firmë”, u shpreh Bello. Simpatizantët socialistë dhe pse u vonuan në hyrje të Kavajës, kanë arritur në Tiranë vetëm disa minuta pasi kishte nisur protesta e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›