E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trebicka, amerikanët ekspertizë më vete

 

Tirane/ Korçe

Ekzaminimi i makinës së Kosta Trebickës është bërë në mënyrë të ndarë, secila palë për llogari të saj nga eksperti i policisë së Virxhinias që mbërriti në vendin tonë tri ditë më parë dhe specialistët shqiptarë që morën pjesë në ekspertizë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare sipas të cilave specialistët shqiptarë kanë pasur konsulta me ekspertin amerikan Kevin Teter gjatë verifikimeve që kryen ditën e djeshme, porse secila palë në fund, ka përmbledhur më vete rezultatet e saj. Burimet hetimore nuk konfirmuan nëse qëndrimet e specialistëve shqiptarë kanë qenë të ndryshme nga ato të ekspertit amerikan, madje thanë se pas ekspertizës së makinës me të cilën udhëtonte Kosta Trebicka, ka pasur një mendim unanim në grupin hetimor për mënyrën si ka ndodhur ngjarja. Megjithatë, puna më vete e specialistit amerikan nga njëra anë dhe ajo e ekspertëve autoteknikë shqiptarë, nga ana tjetër duket se kanë pasur shkaqet e saj të cilat gjithsesi, pritet të mësohen në ditët e ardhshme. Gjatë të gjitha veprimeve të kryera në vendin ku u gjet kufoma e Kosta Trebickës, por edhe më pas në një hambar të policisë së Korçës ku ishte mbajtur makina e biznesmenit të vdekur, eksperti amerikan ka pasur pranë tij një punonjës të Ambasadës amerikane. Ka qenë pikërisht ai që u shfaq në Lekas duke bërë matje në terren vetëm pak orë, pasi policia ishte lajmëruar se Kosta Trebicka gjendej i vdekur në mes të rrugës automobilistike. Ajo që vihej re ishte se eksperti i ardhur në Shqipëri nga Virxhinia tri ditë më parë, pas çdo verifikimi komunikonte në gjuhën angleze me punonjësin e ambasadës amerikane dhe shpeshherë, duke u kujdesur të fshihte mimikën duke kthyer kokën apo vendosur duart në mënyrë, që të mos kuptohej çfarë fliste mbi atë që kishte konstatuar. Specialisti i ardhur nga SHBA, mësohet se ka përdorur gjatë matjeve e vëzhgimeve të tij si në vendin e ngjarjes, ku u gjet i vdekur Kosta Trebicka ashtu edhe në makinën e tij, pajisje thuajse të panjohura nga specialistët shqiptarë, të cilët gjithsesi nuk kanë pasur mundësi të deshifrojnë rezultatet e marra prej autotekniku të policisë së Virxhinias.
S‘ka gjak në makinë
Para kryerjes së ekspertimeve mekanike në sistemin e makinës, hetuesit të pajisur me doreza për të mos dëmtuar gjurmët, kanë bërë një këqyrje sipërfaqësore të makinës së Kosta Trebickës. Gjatë kësaj këqyrjeje, hetuesit sekuestruan të paktën tri gjurmë gishtash në xhamin e derës së majtë në pjesën e përparme të mjetit, disa gjurmë të tjera në timon dhe kroskot dhe shenja të tjera gishtash të mbetura në sipërfaqet e fuoristradës. Po ashtu hetuesit kanë verifikuar me imtësi çdo sipërfaqe të brendshme apo të jashtme të mjetit për gjurmë gjaku, por nuk kanë arritur të gjejnë asnjë të tillë. Pas kësaj, hetuesit në prani të prokurorëve që po invenstigojnë ngjarjen, kërkuan mbetje lëkure që mund të ishin shkëputur nga trupi i biznesmenit në momentin e goditjes. Të gjitha sipërfaqet e makinës janë verifikuar me xhama zmadhues për një lëndë të tillë, por asnjë shenjë e trupit të Kosta Trebickës, siç konfirmohet nga burimet zyrtare, nuk është gjetur në makinë. Hetuesit mendonin se në pjesën që makina mund të ketë zënë kokën e biznesmenit 52-vjeçar me shtetësi shqiptare dhe amerikane do të kishte mbetur ndonjë sipërfaqe e këputur lëkure, por asnjë e tillë nuk u zbulua në automjetin që mbahet i bllokuar prej një jave në policinë e Korçës. Gjatë ditës së djeshme është pretenduar se në makinën e Trebickës, në sedilje ishin gjetur fije të shumta flokësh, por nga burime të konfirmuara në vendin e ekspertimit mësohet se në automjet nuk janë gjetur mbetje të tilla, madje asnjë gjurmë (pendë) të gjashtë zogjve, që biznesmeni kishte vrarë gjatë gjuetisë deri në momentin kur u gjet i vdekur.  t.s/j.gj

Shqiptarët
Ekspertët shqiptarë, por edhe policia e Prokuroria e kanë bërë dje fakt të kryer se makina e Kosta Trebickës, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në mekanizmin e saj, e cila mund të ketë sjellë daljen nga rruga apo atë që ka ndodhur me biznesmenin që denoncoi aferën e tregtisë së fishekëve Shqipëri-Afganistan. Sipas ekspertëve por edhe policisë e Prokurorisë shqiptare, makina nuk ka asnjë të metë dhe nuk ka qenë shkak i ngjarjes, ndërsa eksperti amerikan nuk ka bërë të ditur akoma përfundimet e tij.

Amerikanët
Pritet që rezultatet e ekspertimeve që po bëhen nga specialisti amerikan të bëhen publike vetëm në përfundim të tyre, megjithatë pas verifikimit të jashtëm dhe të brendshëm të automjetit si dhe pas provave të tij në ecje, frenim e në kthesa, hetuesi nga SHBA ka kërkuar më tepër kohë dhe verifikime, që duket se do t’i realizojë përmes programeve të caktuara profesionale, që ai zotëron në kompjuterin e tij, që më pas në mënyrë përfundimtare të japë mendimin për gjendjen e automjetit dhe shkakun e batimit të tij.

Ekspertiza, gjithçka e survejuar

TIRANE – Të gjitha veprimet e kryera, si nga specialisti amerikan, ashtu edhe nga ekspertët shqiptarë në vendin e vdekjes së Kosta Trebickës, por edhe gjatë këqyrjes së makinës të biznesmenit, janë filmuar në detaje me kamera si dhe janë fotografuar. Një person i veçantë i ngarkuar veçanërisht më këtë detyrë, ka ndjekur nga afër të gjitha matjet dhe veprimet e specialistëve, duke filmuar të gjitha ndërhyrjet e tyre në vendin ku vdiq Kosta Trebicka, por edhe në automjetin me të cilin ai udhëtonte në zonën e Lekasit, ku u gjet i vdekur një javë më parë në një zonë malore rreth 6 kilometër larg Voskopojës. Pamjet filmike të veprimeve në vendin e ngjarjes dhe verifikimit të makinës janë administruar zyrtarisht.

“Eksperti amerikan, s‘mund të firmosë”

TIRANE – Eksperti amerikan i mbërritur tri ditë më parë në Shqipëri për të marrë pjesë në hetimet dhe ekspertizat për vdekjen e Kosta Trebickës, nuk mund të firmosë raportin, që do të futet të dosjen penale të Prokurorisë shqiptare lidhur me këtë ngjarje. Sipas Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria dhe gjykatat shqiptare janë të detyruara të njohin si prova në një proces penal vetëm raportet e ekspertizës të hartuara nga ekspertët e autorizuar me kërkesë të organit procedues, i cili gjithmonë i referohet licencës së autorëve të raport-ekspertizës. Prokuroria tha se roli i specialistit amerikan është tepër i vyer, pasi me njohuritë dhe eksperiencën e tij ai do të monitorojë dhe ndihmojë ekspertët shqiptarë, të cilët duhet të firmosin ekspertizën për shkak se vetëm licencat e tyre njihen nga autoritetet gjyqësore në vendin tonë.    

Fuoristrada e Kosta Trebickës në gjendje perfekte, pa dëmtim

Dashamir Biçaku

Një javë pas ngjarjes që i mori jetën biznesmenit Kosta Trebicka, automjeti i tij i markës “Nissan Patrol”, 2500 cc, prodhim i vitit 1998, pavarësisht përplasjes dhe rrotullimeve që pësoi në Lekas të Korçës, është në gjendje teknike perfekte.
 E tillë është konsideruar gjendja tekniko-xhenerike dhe motorike e automjetit të biznesmenit shqiptaro-amerikan, pas këqyrjes së kryer dje nga një grup prej tre ekspertësh autoteknikë, një amerikan dhe dy shqiptarë. Këta të fundit kanë kryer një ekspertim të hollësishëm të makinës, që ruhej prej një jave në kushte të rrepta sigurie në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Korçës. Pasi kanë vërejtur me detaje sistemin e drejtimit, të frenimit, sistemin xhenerik dhe pjesë të tjera të makinës, ekspertët kanë vënë re se mjeti nuk kishte asnjë rrjedhje të karburantit, të vajrave apo të alkoolit të frenave. Ekspertët kanë vëzhguar në gjendje reale makinën, kur njëri prej tyre e ka ndezur atë dhe ka kryer disa xhiro në ambientet e oborrit të policisë së Korçës. Makina nuk ka shfaqur asnjë defekt në sistemin e ushqimit të karburantit, në frenim, në sistemin e drejtimit gjatë kthesave. Të vetmet dëmtime, që siç duket kanë ardhur nga përplasja, kanë qenë thyerja e xhamit të parë dhe xhamit të derës së pasagjerit.
Ekspertët në Korçë
Ende pa gdhirë, rreth orës 04:00, një automjet i ambasadës së SHBA-së në Tiranë është nisur drejt Korçës, pasi ka marrë ekspertin amerikan, i cili mbërriti të enjten nga shteti amerikan i Virxhinias. Më të është bashkuar edhe eksperti shqiptar, Gëzim Hoxha, i njohur si ekspert i pavarur dhe i autorizuar nga Prokuroria e Përgjithshme për t’iu bashkangjitur grupit të ekspertëve që po hetojnë ngjarjen. Rreth orës 08:15 minuta, automjeti me të cilin udhëtonin ekspertët është gjendur në Drejtorinë e Policisë së Korçës. Aty ekspertëve nga Tirana u është bashkangjitur edhe eksperti Daniel Xhengo, ish-ekspert i policisë së Qarkut të Korçës, aktualisht ekspert në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor. Të shoqëruar edhe nga mjetet e policisë, gjithsej katër mjete, pas takimit të parë me grupin hetimor, ata janë nisur në drejtim të fshatit Lekas, në vendin e quajtur Kullat e Gjergjevicës, vendi ku gjeti vdekjen Kosta Trebicka.
Vendi i ngjarjes
Eksperti amerikan ka kërkuar të shkojë në vendin e ngjarjes të verifikojë dhe të bëjë matje të ndryshme aty. Sapo kanë mbërritur në vendin e vdekjes së Trebickës, ekspertët kanë nisur nga puna, ndërsa punonjësit e policisë kanë rrethuar skenën. Specialistët kanë kryer matjet e nevojshme për relievin e sipërfaqes në të cilën ka lëvizur makina dhe këqyrjen e terrenit të gjurmëve të gomave të lëna nga automjeti në vendin e ngjarjes. Ata kanë vënë re këndet në të cilat ka lëvizur mjeti, vendin ku ai është batuar si dhe zonën ku është thyer xhami. Specialistët kanë kryer dhe matje të vendit ku ka rënë viktima si dhe të vendit ku ka përfunduar mjeti. Nga tërësia e veprimeve të kryera dhe të dhënave të mbledhura, ekspertët kanë mbajtur shënim gjithçka, por nuk kanë dhënë qëndrime dhe versione paraprake, qoftë edhe për lëvizjet që ka kryer makina e Kosta Trebickës. Gjatë këqyrjes në vendngjarje, ekspertët janë përqendruar në vendin ku është gjetur viktima i shtrirë në tokë. Duket se dyshimet më të mëdha të tyre, kanë qenë për mënyrën se si ka ndodhur që viktima të dilte nga automjeti. Fuoristrada është një mjet i modifikuar për gjah, me dy vende pas dhe i hapur në pjesën e sipërme të kabinës. Ekspertët duket se kanë ngritur paraprakisht versionin që viktima mund të ketë dalë nga pjesa e sipërme e zbuluar e tij, ndërsa versioni i dytë është se trupi i Trebickës ka dalë nga mjeti kur ai është batuar përmes njërës nga dyert që duhet të jetë hapur. Pas këqyrjes së terrenit, ekspertët janë drejtuar për në policinë e Korçës, ku kanë hapur makinën. Tre ekspertët, Teter, Hoxha dhe Xhengolli, kanë këqyrur me lente të gjitha dëmtimet e vërejtura në kabinën e mjetit dhe pjesët përbërëse të tij. Në përfundim secili prej ekspertëve ka mbajtur shënimet e tij mbi atë çfarë ka vërejtur dhe disa orë më pas, në 15:30 ata janë nisur drejt Tiranës. Gjatë ditës së sotme, të tre ekspertët pritet të takohen me grupin e hetimit në zyrën e Prokurores së Përgjithshme, ku edhe pritet të shfaqin mendimet e tyre mbi ngjarjen.

Ekspertët: Shirat kanë zhdukur shenjat e lëvizjes së makinës

TIRANE - Grupi i ekspertëve prej tre personash ka vënë re se dje në vendin e ngjarjes, një javë pas aksidentit të biznesmenit Kosta Trebicka, një pjesë e gjurmëve ishin fshirë. Kjo, sipas specialistëve të policisë së Korçës, argumentohet me faktin se gjatë kësaj jave shirat e rënë në këtë zonë kanë bërë që një pjesë e gjurmëve të fshiheshin dhe shirat të gërryenin terrenin. Përkundër kësaj, ekspertëve u është dashur që të kryejnë matje me gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes. Për të pasur një ide sa më të qartë mbi gjurmët e lëna gjatë lëvizjes së çrregullt në terren të pastër, ekspertët janë konsultuar me pamjet fotografike dhe filmike të administruara nga policia në vendin e ngjarjes ditën e aksidentit. Kjo iu ka ardhur në ndihmë atyre për të krijuar një pamje të përafërt për ngjarjen. Ekspertët kanë kryer matjet e nevojshme, si këndin e lëvizjes së gomave, gjerësinë e tyre, mënyrën se si ato kanë lëvizur në rrugë dhe në pjesën jashtë rrugës. Specialistët pritet që të kryejnë matje të tjera me mjetin, i cili pritet t’i nënshtrohet një analize të hollësishme, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme pritet që specialistët të kryejnë vëzhgime dhe këqyrje të tjera të mjetit si dhe të terrenit. Madje, sipas burimeve të policisë, kanë pohuar për gazetën “Panorama” se pritet që ekspertët të realizojnë një eksperiment me mjetin në terrenin e mësipërm. Në fund ata do të japin konkluzionet e tyre mbi shkaqet e mundshme të aksidentit.

Prokuroria përzgjodhi ekspertët

TIRANE - Dy ekspertët shqiptarë, Gëzim Hoxha dhe Daniel Xhengolli, janë vlerësuar nga policia si më të pranueshmit për të realizuar aktin e ekspertimit autoteknik të aksidentit të Kosta Trebickës. Sipas burimeve zyrtare, Gëzim Hoxha, ekspert autoteknik, është ish-oficer ushtrie për transportin, por ka punuar si ekspert autoteknik edhe privatisht. Ai është përzgjedhur në bazë të një studimi të shpejtë të akteve të zgjidhura më drejt në proceset gjyqësore që ai ka kryer vitet e fundit. Po kështu edhe Daniel Xhengolli, ish-oficer policie në zyrën e ekspertëve autoteknikë, si ekspert në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Korçë. Edhe për Xhengollin, sipas policisë, është ndjekur e njëjta rrugë, duke parë aktet e ekspertimit të bëra prej tij më parë. Eksperti amerikan i mbërritur nga Virxhinia vlerësohet si ekspert i besueshëm në fushën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›