Kartat, PS skeptike për prodhimin
BLEDAR HOTI
Ministria e Brendshme jep garanci për pajisjen e shtetasve shqiptarë me karta identiteti në zgjedhje, por opozita shprehet skeptike në realizimin e këtij procesi. Raporti i zv.ministrit të Brendshëm, Ferdinand Pone në lidhje me procesin e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike, ka shkaktuar debate në Komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore. Poni dha garancinë se kartat e identitetit do të jenë të gatshëm përpara datës së parashikuar për mbajtjen e zgjedhjeve. “Ne garantojmë prodhimin e kartave të identitetit sipas kontratës së nënshkruar dhe besoj prodhimin e dokumenteve të identitetit para zgjedhjeve. Pse? Aty nuk thuhet 15 mijë karta në ditë, por jo më pak se 15 mijë karta në ditë. Kemi bërë llogari se thuhet jo më pak se 20 mijë, kemi jo më pak se gjashtë muaj në dispozicion. Ne padiskutim besojmë se instalimi i kësaj teknologjie e lejon përmbushjen e kësaj detyre”, deklaroi Poni. Qëndrimi i mbajtur u kontestua nga ana e Fatmir Xhafajt. Ai u shpreh se raportimi i kryer nuk dha garancinë se në zgjedhjet e ardhshme votuesit do të votojnë me kartat e reja të identitetit. Sipas Pones numri total i popullsisw wshtw 4.263.734 banore, ku 3.200.000 zgjedhws. Përplasja më e madhe ka qenë në lidhje me mënyrën se si do të votojnë emigrantët. Poni ka bërë të ditur se, “skema parashikohet që të realizohet në periudhën e festave të fundvitit, apo të Pashkëve, për të pajisur qytetarët me karta identiteti”. Ai bëri të ditur se, “brenda muajit shtator, Ministria e Brendshme në bashkëpunim me shoqërinë koncesionare do të përfundojë propozimin për vendimin e KM-së, që do të bëjë të detyrueshëm aplikimin për kartë. Dhe nga kjo procedurë nuk shmangen as emigrantët”. Bashkëkryetari i komisionit, socialisti Xhafaj, ka deklaruar se “Poni nuk dha garanci për kartat dhe listat paraprake të zgjedhësve”. “Kjo është absurde që thoni ju, se të vijnë emigrantët për Pashkët. Hajde të gjejmë mundësitë, sepse do të jetë shumë e rëndë nëse realizohet dhe politikisht një gjë e tillë. Nuk është korrekte që për t’i mbajtur një deklarimi publik që ka mbajtur kryeministri, thjesht në mënyrë publike dhe ju e dini shumë mirë, por ju e dini meqë e ka thënë ai nuk keni çfarë të bëni tani. Hajde ta zgjidhim tani që të mos keni probleme serioze dhe politike në të ardhmen”, deklaroi Xhafaj. Por bashkëkryetari Rusmali ka deklaruar se nuk mund të ketë problem për votimin e emigrantëve, pasi komisioni ka përcaktuar se mund të votohet dhe me pasaportë të vlefshme.
Lista e popullsisë
Totali i popullsisë 4.263.734
Numri i zgjedhësve parashikohet 3.200.000
Qarku Tiranë 987.929 shtetas
Qarku Durrës 397.382 shtetas
Qarku Elbasan 419.142 shtetas
Qarku Shkodër 335.378 shtetas
Qarku Dibër 186.567 shtetas
Qarku Kukës 115.090 shtetas
Qarku Lezhë 212.569 shtetas
Qarku Berat 234.307 shtetas
Qarku Fier 485.239 shtetas
Qarku Vlorë 370.407 shtetas
Qarku Korçë 355.802 shtetas
Qarku Gjirokastër 163.922 shtetas