E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barka akuzon hartuesit e Enciklopedisë se kanë deformuar historinë

Një shoqatë që pretendon se mbron të drejtat dhe identitetin e pakicave greke në Shqipëri, "Afirmuesit e identitetit tonë",

ka akuzuar hartuesit e tekstit të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, se kanë mbajtur një qëndrim diskriminues e denigrues ndaj minoritetit etnik grek.

Nëpërmjet kryetarit të saj, Panajot Barkës, shoqata ka kërkuar të rishikohet Enciklopedia për qëndrimin "diskriminues, denigrues, deformues dhe shpërbërës ndaj minoritetit etnik grek në Shqipëri, në lidhje me origjinën, kulturën dhe identitetin e tij". Sipas Barkës, në rreth njëmijë faqet e këtij Fjalori nuk ka asnjë përcaktim për këtë minoritet në përbërësit e tij etnikë, kulturorë, demografikë dhe gjeografikë, mandej në to krijohet një imazh i deformuar kur përdoret termi "pakicë greke". "Në njësinë "Dropull", që i referohet njërës nga krahinat me popullsi homogjene e kompakte greke, përdoret teksti propagandistik i Fjalorit Enciklopedik të periudhës komuniste dhe dezinformin kur thotë se pas çlirimit iu garantuan me Kushtetutë të drejtat e pakicave kombëtare", ka thënë mes të tjerave Barka. Ndërkaq në këtë dalje të beftë, ai nuk ka ngurruar të akuzojë as 20 bashkëkombës të tij me origjinë etnike nga radhët e minoritetit grek, që kanë marrë pjesë në hartimin e këtij botimi, se nuk kanë reaguar ndaj atyre që Barka i ka konsideruar si deformime historike. I pyetur lidhur me reagimin e vonuar ndaj këtyre kontestimeve dhe nëse në organizatën e tij bëjnë pjesë historianë, të cilët mund të argumentonin këto vërejtje me argumente shkencorë, Barka tha se deri më tani nuk kishte qenë koha e përshtatshme dhe se në organizatën që drejtonte nuk kishte historianë. Por që ai kishte ndarë paraprakisht të njëjtin opinion me anëtarët e shoqatës së tij, pavarësisht se ata nuk ishin historianë.

En.Se.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›