E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBKD kërkon rishkrimin e historisë

Ndizet debati për ndryshimin e historisë. Balli Kombëtar Demokrat reagon për tekstin e historisë shqiptare në klasat e gjimnazit. Partia e Ballit Kombëtar Demokrat mendon se problemi me tekstet e shkollës nuk është vetëm politik, por është moral dhe, më e rëndësishmja, profesional. "Teksti akuzohej për njëanshmëri politike në trajtimin e historisë. Kundërshtimet nuk duhen harruar, ishin njëanshmërisht politike", thuhet në komunikatën e Partisë Balli Kombëtar Demokratë. "Me problem profesional ne nënkuptojmë metodologjinë. Në Shqipëri përdoret një metodologji antishkencore në qasjen ndaj historisë, ashtu siç përdorej në komunizëm. Historianë komunistë kishin objektiva politikë (glorifikimin e rolit të personazhit X, ngjarjes Y dhe partisë Z) pastaj kërkonin faktet për ta vërtetuar këtë. Ndërkohë që rruga profesionale është tjetër: fillimisht studiohen ngjarjet, personazhet, të vendosura në një kontekst historik sa më të gjerë dhe pastaj arrihet në konkluzione interpretuese", citojnë përfaqësuesit e kësaj partie nëpërmjet një komunikate për shtyp. Duke radhitur një sërë problemesh, PBKD bën me dije se "historianët komunistë nuk e kanë përmendur kurrë që Balli u distancua zyrtarisht me disa figura të saj që morën pjesë në regjencë apo qeveritë shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në tekstin e ‘Historia 9‘, që përdoret aktualisht në shkolla, thuhet se Balli Kombëtar pezulloi luftën kundër gjermanëve, por kjo i referohet një qarkoreje të tetorit 1943, ndërkohë që, në ‘Historia 9‘, nuk jepen shkaqet". PBKD sqaron se "autorët e tekstit ‘Historia 12‘, mund të kenë gabime në tekstin e tyre, por sulmi, siç kemi vënë re nga deklarimet publike, më tepër është i motivuar, sepse historinë e Shqipërisë gjatë shekullit të 20 ata e kanë shkruar në kundërshtim me pikëpamjen komuniste". Partia e Ballit Kombëtar Demokrat citon se ironia është se historinë e Shqipërisë e mbrojnë pikërisht ata që e kanë shtrembëruar dhe, sipas tyre, kjo tregon deformimin e thellë moral të tyre. "Ende ka historianë që artikulohen publikisht, mbahen si akademikë apo ankohen se shteti nuk u paguan më asistente, ndërkohë që e vetmja gjë origjinale që kanë bërë në jetën e tyre është falsifikimi i historisë. Për shembull, dikush ka falsifikuar edhe deklaratën e pavarësisë dhe ende i kërkohet ose jep pa e pyetur kush, mendim për historinë", thuhet në komunikatë. PBKD nuk e mohon se qëndrimi i saj është politik, por krerët e saj shprehen se politika e saj është për përdorimin e kritereve profesionale në shkrimin e historisë dhe jo për propagandë pozitive për partitë politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›