Godo dhe Xhufi: Enciklopedia është OK
Pas reagimit të palës shqiptare, e cila kundërshtoi Enciklopedinë Maqedonase, përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri nuk kanë humbur asnjë minutë kohë. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ata kanë kundërshtuar fjalorin Enciklopedik Shqiptar të Akademisë së Shkencave, duke theksuar se ky është një fjalor diskriminues, pasi Enciklopedia përdor për minoritetin grek termin pakica dhe për minoritetin grek në Dropull, grup të ardhurish. Por pas kësaj deklarate të pakicës greke në Shqipëri, ka ardhur reagimi i historianëve dhe politikanëve shqiptarë. Profesor Pëllumb Xhufi, historian, dhe politikani dhe shkrimtari Sabri Godo, në një prononcim për "Shqip" janë shprehur se drejtuesit e minoritetit grek në Shqipëri nuk kanë të drejtë me pretendimet e tyre. Në lidhje me reagimin e Shoqatës së Minoritetit Grek, për përdorimin e termit pakicë, profesor Xhufi shprehet se "më duket një reagim reaktiv, emocional nga ana e z. Barka, të cilin e njoh dhe e respektoj. Por mendoj se në të dyja këto çështje ai nuk ka të drejtë, sepse përdorimi i termit pakicë në vend të minoritet nuk sjell asnjë ndryshim, pasi termi pakicë është pikërisht korrespondenti i shqipes me termin minoritet". Ndërsa për pretendimin e dytë, Xhufi shprehet se "për ardhjen e popullsisë greke të Dropullit në një periudhë të caktuar historike kjo është e vërtetuar nga dokumentet dhe nga udhëtarët që kanë ardhur para shekullit të 18. Por kjo vërtetohet edhe nga dokumentet greke, siç është libri "Kronika e Dropullit", i cili flet pikërisht për ardhjen e popullsisë greke në këto anë, në një periudhë kohe të caktuar, ku kronika në fjalë nuk e përcakton. Por kjo është e vërtetuar edhe nga të dhënat e tjera, siç janë të dhënat gjuhësore, sepse edhe vetë gjuhëtarët më të shquar grekë e kanë konfirmuar se gjuha e përdoruar nga popullsia greke e Dropullit është një dialekt i greqishtes jugore dhe kjo vërteton edhe këto që thotë ajo kronika që parmenda, që këta banorë kanë ardhur nga zonat jugore të Greqisë". Në të njëjtën linjë diskutimi është shprehur edhe politikani dhe shkrimtari Sabri Godo. Duke marrë shkas nga reagimi i Shoqatës së Minoritetit Grek Godo është shprehur se "për sa u takon minoritarëve, nuk di sesi mund t‘i quajmë, ndryshe veçse pakica, sepse në të vërtetë të tillë janë. Janë një pakicë dhe më duket se ky tekst ka të drejtë kur i quan dhe të ardhur dropullitët, sepse të dhënat historike atje çojnë që kanë ardhur këtu para 200-250 vjetësh si të shpërngulur". Në lidhje me pyetjen se reagimi i Shoqatës së Minoritetit Grek për Enciklopedinë Shqiptare ka ardhur pas reagimit të palës shqiptare për enciklopedinë maqedonase, Xhufi dhe Godo shprehen se nuk mund të hiqen paralele të tilla. Godo shprehet se "dikush tani përpiqet të heqë ndonjë paralele ndërmjet atyre dy librave, por nuk ka ngjashmëri ndërmjet tyre në asnjë mënyrë. Ky është një tekst që ka disa gabime dhe disa mangësi, ndërsa enciklopedia maqedonase është e qartë në qëllimet e saj në atë që ka dashur të thotë. Këto ndodhin në të njëjtën kohë por kurrsesi nuk mund të hiqen paralele". Po kështu shprehet edhe historiani Xhufi. Ai thekson se "nuk më duket rasti që të merret ngacmime nga një rast si ai i Enciklopedisë Maqedonase, e cila rezervon terma fyes për shqiptarët. Këtu, në të kundërt, më duket se minoriteti grek apo pakica greke në Shqipëri vlerësohet dhe aty flitet dhe për kontributin që ka dhënë ajo, jo vetëm në lëmin ekonomik, por edhe në lëmin e shkencës, arsimit dhe kulturës. Kështu që më duket pak e sforcuar për të marrë shkas nga një rast si ai i Enciklopedisë Maqedonase dhe për ta barazuar atë. Por ka edhe plot gjëra të mira që mund të thuhen aty për kontributin e shoqërisë greke në Shqipëri, në të mirë të zhvillimit ekonomik e social të vendit, por natyrisht edhe vendi është i kufizuar në fjalorin enciklopedik".