E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis verifikimi i objekteve që preken nga projekti i Unazës së Madhe



Emanuela Sako

Specialistët në Bashkinë e Tiranës kanë nisur verifikimin përfundimtar të pasurive të paluajtshme, që preken nga zbatimi i projektit të Unazës së Madhe. Bashkia e Tiranës aktualisht është në fazën përfundimtare të verifikimit të pasurive dhe pronarëve që kanë dokumente të rregullta të pronësisë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, sqaroi për gazetën “Albania” se së shpejti do të bëhet publike harta e shpronësimeve dhe ndërtimeve pa leje që do të prishen në zonën që prek projekti. Zona e shpronësimeve do të jetë nga fillimi i Shkollës Teknologjike, që është pjesa e Unazës së Madhe dhe deri te Rruga e Elbasanit. Shalsi sqaroi se në këtë itinerar që do të përshkojë rruga për ndërtimin e Unazës së Madhe, ka mjaft banorë që nuk gëzojnë të drejtën e pronësisë dhe që shtëpitë e tyre do të shemben. Projekti është financuar dhe hartuar nga Bashkia e Tiranës, ndërsa donatore është Banka Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillim (BERZH).
Projekti
Projekti përfshin ndërtimin e Unazës që nga Shkolla Teknologjike dhe deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi.
Puna për këtë pjesë të Unazës së Madhe ka filluar që në vitin 1999 dhe ka përfunduar në vitin 2006. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Shalsi, zbulon detajet e projektit të Bashkisë, e cila do të zgjidhte një hallkë të madhe për qarkullimin e automjeteve në kryeqytet. Në bazë të të dhënave të projektit, Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 5.50 kilometrash. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Në projektin e kësaj rruge përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivele. Rruga është parashikuar të ketë edhe disa rrethrrotullime në zona të caktuara, si në “Komunën e Parisit” dhe në Rrugën e Elbasanit. Ndërsa është parashikuar që të ndërtohet me 6 korsi në disa segmente kyçe. Këshilli Ministrave ka përcaktuar çmimin e tokës së pronarëve të shpronësuar, toka e të cilëve ndodhet në Unazën e Re. Sipas vendimit të qeverisë, një metër katror tokë është vlerësuar me 12.335 lekë. Kostoja totale e shpronësimeve është 39.879.055 lekë. Afati i shpronësimit për të gjithë pronarët mund të përfundojë në muajt e parë të 2009-s, ndërsa përcaktimi me vendimin e qeverisë është e përcaktuar më 3 mars. Hartuesit e projektit të Unazës së Re kanë përpiluar listën e objekteve dhe tokës që do të shpronësohen nga ndërtimi i Unazës. Specialistët kanë përcaktuar dy kategori shpronësimesh, tokë fizike dhe ndërtesat që do prishen nga ndërtimi i rrugës.
Banorët
Në të gjithë këtë zonë të zbatimit të projektit janë dhjetëra qytetarë që kanë ngritur bizneset apo kanë ndërtuar shtëpitë e tyre. Një pjesë e banorëve janë lajmëruar për t’u larguar nga shtëpitë e tyre dhe të sigurojnë një vendbanim të ri, pasi zbatimi i projektit prek banesat e tyre. Por këtu bëhet fjalë për të gjithë ata banorë që nuk kanë asnjë dokument pronësie. Ndërsa banorët që janë pronarë të tokës apo të banesës do të shpronësohen të gjithë. Tashmë është përcaktuar harta e prishjes së ndërtesave pa leje dhe harta e tokës apo pronave që do të shpronësohen. Aktualisht nuk është përcaktuar asnjë mënyrë ndihmese nga autoritetet për banorët që kanë ndërtesa pa lejë, të cilëve do t’iu prishet shtëpia. I tillë është rasti i ndërtesave që u prishën pranë Maternitetit të Ri, për zbatimin e projektit për lumin Lanë. Rreth 100 familje dolën në rrugë të madhe, pa shtëpi dhe pa asnjë mënyrë jetese. Me gjithë protestat e tyre me grevë, bashkia ua prishi banesat, të cilat ishin pa leje dhe ndodheshin në anë të lumit Lanë. Bashkia e Tiranës iu dha mundësinë për t’u trajtuar me bonusin e qirasë, ku të gjithë aplikantët e përfituan direkt këtë bonus.
Dokumentet
Ndërkohë që shifra në total e pronave që do kompensohen për gjithë projektin është drejt llogaritjes përfundimtare. Janë vetë pronarët ata që pas njohjes me projektin, depozitojnë në bashki pretendimet e tyre për kompensim të pronës që do t’u merret për ndërtimin e projektit. Certifikata e pronësisë dhe dëshmitë e tjera ligjore duhet të paraqiten së bashku me kërkesën për kompensim. Më pas bashkia bën verifikimin e kërkesave të pronarëve me përputhjen e tyre në zbatimin e projektit dhe cakton hapësirën e saktë që do të kompensohet. Pas përfundimit të verifikimit, dokumentet kalojnë në Ministrinë e Transporteve, e cila përcakton masën dhe kriteret e kompensimit në bazë të rregullave.

Mundësitë

Të gjithë personat që mund të ngelen jashtë skemës së kompensimit mund të aplikojë në dy projektet e Bashkisë, duke iu ofruar si mundësi zgjidhjeje për ata që plotësojnë kushtet e përfitimit.
Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të qytetarëve dy mënyra të trajtimit të strehimit social, të cilat janë bonusi i strehimit dhe bonusi i qirasë. Personat që trajtohen nga Bashkia e Tiranës si të pastrehë, por që janë përzgjedhur si përfitues të bonusit të qirasë, kanë më shumë mundësi përfitimi të bonusit të strehimit në banesat sociale me qira të ulët. Ky është edhe ndryshimi mes dy mënyrave të trajtimit social. Njëra nga mënyrat është bonusi i qirasë, nëpërmjet të cilit familjarët zgjedhin një shtëpi në një nga zonat e Tiranës dhe u paguhet nga Bashkia. Ndërsa familjarët që do të trajtohen me bonus strehimi duhet të marrin një nga shtëpitë që Bashkia e Tiranës po ndërton. Banesa do të jepet nga Bashkia e Tiranës me një kosto më të ulët nga sa mund të gjendet në treg. Vetëm dy ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi 36 personat që do të trajtohen me bonusin e qirasë.

Skema e aplikimit për ata që u shembet shtëpia

Aplikimi kryhet nëpërmjet një formulari, që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit për Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës, ose në njësitë bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, njësia bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës. Kriteret që duhet të plotësohen për t’u klasifikuar dhe për t’u trajtuar me programet sociale të strehimit janë disa dhe tregojnë pamundësitë e familjeve për të jetuar. Kështu, familjet që me vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; ato familje që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në këtë skemë përfshihen vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Bashkia e Tiranës ofron mundësinë e trajtimit me bonus qiraje për qytetarët të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut, deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh. (Familje të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut). Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar te aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan kjo e fundit.

6 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›