Paketa e PD-së për Kodin Zgjedhor hartohet në kryeministri
Eljona Ballhysa
Paketa e Partisë Demokratike për ndryshimet në Kodin Zgjedhor është duke u hartuar në Kryeministri. Burime nga kjo parti kanë bërë të ditur për gazetën se këshilltarë të kryeministrit kanë punuar gjatë gjithë periudhës verore dhe janë duke punuar mbi draftin që do të prezantojë PD-ja në Kuvend. Kjo duket se është arsyeja që deputetët e Partisë Demokratike “ngrenë supet” sa herë që i pyet për platformën e PD-së për Kodin Zgjedhor. Asnjë deputet i Grupit Parlamentar të PD-së nuk ka informacion në lidhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe qëndrimin e kësaj partie. Ndërkohë që kryeministri Berisha vetëm pak ditë më parë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, bëri të ditur se është punuar gjatë gjithë verës për të hartuar një paketë ndryshimesh për Kodin Zgjedhor. Burimet kanë konfirmuar për “Albania”-n se janë pikërisht këshilltarët e kreut të qeverisë që kanë punuar për hartimin e kësaj pakete. Duket se kjo zgjedhje është bërë në mënyrë që çdo amendim ligjor që propozohet për Kodin Zgjedhor të jetë sa më i kontrolluar nga kreu i qeverisë.
Kuvendi
Nga ana tjetër, mësohet se në fillim të javës së ardhshme, kjo paketë propozimesh do të diskutohet në mbledhjen e Komisionit të posaçëm Parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Lajmin e ka bërë të ditur për gazetën kryetari i këtij komisioni, Ilir Rusmali. Ai u shpreh se javën e ardhshme ky komision do të zhvillojë më shumë se një mbledhje gjatë së cilës do të diskutojë mbi pikat që parashikohen të ndryshohen në Kodin Elektoral. “Javën që vjen do të mblidhet Komisioni i Posaçëm për Kodin Zgjedhor. Unë mund t’ju them se puna ka vazhduar gjatë gjithë kësaj periudhe. Me ndryshimet në Kod është marrë një ekip i posaçëm ekspertësh. Unë nuk kam shumë informacion, por mund t’ju konfirmoj që javën e ardhshme do të ketë më shumë se një mbledhje të komisionit”, - është shprehur Rusmali.
Kodi Zgjedhor
Gjatë mbledhjes së komisionit pritet të diskutohen qëndrimet e palëve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në këtë dokument pritet të pasqyrohen ndryshimet që iu miratuan në pranverë Kushtetutës. Pikë së pari pritet të ndryshojë sistemi zgjedhor nga proporcional i përzier me maxhoritar në proporcional rajonal. Po kështu pritet të parashikohen në Kod mënyra e llogaritjes së votave, përqindjeve, ndarja e zonave elektorale, si dhe përbërja e Komisionit Qendror Zgjedhor, dhe e komisioneve të tjera vendore. Për të realizuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor pritet që politikanët shqiptarë të marrin mendimet e ekspertëve të prezencës së OSBE-së.
6 Shtator 2008