ISHP përgatit menunë për fëmijët e vegjël në kopshte
Fëmijët e vegjël që frekuentojnë kopshtet me drekë nuk kanë një menu të pasur me kalori ushqimesh. Verifikimi është bërë nga Instituti i Shëndetit Publik, sipas të cilit kopshtet duhet të ndryshojnë menunë duke e bërë atë më të pasur. Menuja e re do të ketë ushqim të pasur me kalori për fëmijët e vegjël. Së shpejti pritet të hartohet edhe dieta e re për të gjithë të vegjlit. Por, në të njëjtën kohë do të ndryshojë edhe tarifa që do të paguajnë prindërit për fëmijët e tyre. Rritja e cilësisë së ushqimit, detyrimisht do të ndryshojë edhe pagesën që do të bëjnë prindërit, pasi ushqimet kanë koston e tyre. Me “luftën” e madhe që u bë pak ditë më parë për regjistrimin e fëmijëve në kopshte, ku para Drejtorisë Arsimore të Tiranës u mblodhën mjaft prindër për të kryer regjistrimin, prindërit tashmë do të marrin parasysh edhe tarifat e reja.
Ndryshojnë drejtorët e spitaleve rajonale në rrethe
Ministrja e Shëndetësisë ka dhënë urdhër për ndryshimin e drejtorëve të spitaleve në rrethe. Duket se struktura e re e shëndetësisë po merr formën e saj të ndryshimit. Reformat në Ministrinë e Shëndetësisë nuk do të lënë pa prekur dhe spitalet e rretheve pas atij të Tiranës, ku drejtori i QSUT-së, Mati Pepa, u zëvendësua me drejtoreshën e re Gjeorgjina Kuli. Deri tani funksionin e tij si drejtues spitali e ka lënë drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, drejtori i Spitalit Rajonal të Lezhës, drejtori i Spitalit Rajonal të Shkodrës. Pritet që reforma të shtrihet edhe më tej, ku në ditët e ardhshme ndryshimet do të prekin drejtori të tjera të rretheve. Që nga dita e emërimit të saj në krye të Shëndetësisë, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, zhvilloi një sërë vizitash në spitalet e rretheve ku evidentoi punën e kryer dhe mangësitë e thella që kishin spitalet rajonale. Njëkohësisht u njoh me vështirësitë që hasin pacientët në spitalet e rretheve.
6 Shtator 2008