E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti kryeministër! Sabotatorët e naftës, i keni në Vorë



Ervin Koçi

Zbulimi dhe ndëshkimi me sukses i “grupit puçist” në Ushtri, ku bashkë me shefin e Shtabit dhe ca oficerë të tjerë u përvëlua dhe aleati më i mirë i PD-së, kryeministri Berisha vendosi që ta përdorë këtë histori edhe me naftën. Duket disi e çuditshme, por ky kryeministri ynë nuk është dhe aq naiv dhe i pafajshëm sa duket në spotin argjentinas “anti-korupsion”. Po, po! Ashtu siç bëri menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit (për kujtesë, bashkë me të thatin u dogj dhe i njomi), ku kryeministri nuk ngurroi të sakrifikojë as ministrin e Mbrojtjes duke e ngarkuar me përgjegjësi, po ky njeri tani, pas një tjetër “Gërdeci bujqësor”, seç po kërkon disa puçistë edhe në naftë. Sa i madh ky kryeministri ynë...!!! I madh dhe i suksesshëm, madje. Do të thoni po si...? Eh, si...! Ja ashtu kot, pasi i eci me Gërdecin, duket se do ta mbulojë edhe misrin pa farë. Kësaj radhe kemi një grup gjysmëterrorist dhe gjysmësabotator që desh na e “fundosën” privatizimin e “ARMO”-s, por edhe këtë herë më duket se i vetmi përgjegjës do të mbetet aleati i radhës me pozitë. Seç ka ky kryeministri me këta republikanët...! Po kur e mendon... U jep një post ministror, por u heq një zëvendëskryeministër, që dashur padashur mund të jetë përzierë me “Gencin dhe Agimin kur hidhnin trakte në klasë...”! Dhe e gjitha kjo përse? Për të fshehur ca kallinj misri që nuk ua desh qejfi të pjellin, duke i hapur në momentin jo të duhur punë shtetit. Dhe menjëherë për këtë kryeministri inteligjent e ka një zgjidhje. Sabotatorët në naftë! Por i ziu duket se po i kërkon në vendin e gabuar kësaj here, pasi rrezikon të përplaset sërish me aleatët e tij. Në vend që t’i kërkojë në Vorë, ata që “ndezën” fshatin dhe e lanë pa asnjë kokërr kallamboq, i kërkon në “ARMO”, që tashmë është privatizuar. Zoti na ruajt! Duhet të lutemi se mos kryeministri na bën ndonjë gabim strategjik me investitorët strategjikë.
Lëre më mirë buxhetin, zoti kryeministër, dhe shtetin që t’i shijojnë paratë e privatizimit dhe përdori për “Durrës-Kukës” po qe nevoja, por dhe dëmshpërbleji fermerët që një miku yt, ashtu kot, i la pa prodhim. Dëmshpërbleji fermerët, se pastaj nuk ka vota. 2009-a erdhi dhe s’ka më kohë. Dëmshpërbleji fermerët dhe kërkoji sabotatorët në Vorë, jo në naftë. Ose në të kundërt, po nuk pate para t’u japësh për misrin pabuks, lëri të mbjellin Cannabis (si Lazaratin), e mos i lodh më kot me fara sterile apo impotente.

6 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›