E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagojnë të pakënaqurit e PD-së, Zogaj: “Po emërohen hajdutët e votave”



Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, i cili njihet për tonin kritik ndaj qeverisjes, ka dalë dje krejtësisht hapur kundër mungesës së organizimit në PD. Gjatë një prononcimi për mediat, Zogaj ka dënuar faktin se selia e PD-së në Tiranë emëron persona të ndryshëm në rrethe, të cilët, sipas Zogajt, gjatë fushatës së vitit 2005 kanë vjedhur votat e deputetëve të kësaj partie. Zogaj gjithashtu shpreh rezerva dhe për realizimin e disa premtimeve të rëndësishme të bëra gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2005. Megjithëse nuk përmend ndonjë premtim konkret, deputeti i Lezhës thekson se disa premtime janë zvarritur nga qeveria e PD-së.
Denoncimi
“Ka një fenomen që duhet të ndalohet menjëherë. Vendimet merren nga Tirana. Ka zyrtarë të PD-së që vendosin nga Tirana për njerëzit që duhet të merren në punë”, - është shprehur Zogaj. Ai denoncoi faktin se, me gjithë reagimet e tij kundër këtyre emërimeve, nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi nga selia qendrore në Tiranë, apo nga ministrat. “Hajdutët po promovohen. Me gjithë zhurmën e madhe që bën një deputet, dhe unë mendoj se kur nuk dëshiron një deputet duhet të ngrihet në këmbë e gjithë qeveria, por nuk ndodh kështu. Vazhdojnë të promovohen hajdutë, njerëzit që na kanë prekur votën në 2005-s. Pikërisht këta njerëz propozojnë shkarkimin e demokratëve dhe e bëjnë për politikë për inate edhe të vogla, por kanë rrezatim në politikë”, - është shprehur Zogaj. Deputeti i PD-së shpeshherë ka ngritur zërin kundër kësaj praktike që ka ndjekur kjo parti. Ai denoncon mosvlerësimin e militantëve, të cilët, sipas tij, janë në vijën e parë sa herë që ka zgjedhje.
Thirrja
Nga ana tjetër, Zogaj ka gjetur rastin t’i sugjerojë partisë së tij që të fillojë nga puna për t’u organizuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij, PD-ja duhet të riorganizojë forcat për zgjedhjet parlamentare. Pikërisht për këtë PD-ja, sipas Zogajt, duhet të fillojë të hartojë një program të ri qeverisës, pasi programi i vitit 2005 është duke u zbatuar. “Për të qeverisur në një mandat tjetër duhet të vazhdojë me shpejtësi realizimin e objektivave të programit të vitit 2005. Duhet të evitohen përfundimisht zvarritjet burokratike dhe indiferencën që pushton herë pas here segmente të caktuara të administratës shtetërore, për të fituar kohë, se unë mendoj se një nga armiqtë e qeverisë lidhet me vonesën. PD-ja duhet të vlerësojë kontributet, ndodh që papritur i bie bingoja një personi dhe çdo njeri mund ta bësh më të mirin dhe më të zgjuarin. Këto dëmtojnë rëndë kornizën e vlerave. PD-ja duhet të hartojë një program të ri, se programi i 2005-s po shkon drejt zbatimit. Duhet një program që të sjellë më shumë dritë, më shumë liri, më shumë tolerancë”, - është shprehur Zogaj.

6 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›