E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i misrit, vërshojnë paditë në të gjithë vendin



Habjon Hasani

Të gjithë fermerët e prekur nga dështimi i prodhimit bujqësor si pasojë e farës skarco të misrit që kanë blerë, po organizohen për t’i dhënë problemit një zgjidhje ligjore. Gjatë mesjavës, në qarkun e Elbasanit janë zbuluar vatra të tjera masive me misër shterpë, të cilat shtrihen në komunat më të mëdha të këtij rrethi. Në Elbasan janë regjistruar fermerët e parë që i janë drejtuar Zyrës së Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë, duke paditur penalisht sipërmarrësit e shoqërisë që u shiti farën. “Për të gjitha shpenzimet dhe prodhimin që kam humbur, duhet të më kthejnë lekun. E kam blerë 4 mijë lekë kilen”, - ka deklaruar një fermer. Gjatë kontrollit që fermerët u kanë bërë parcelave të mbjella me misër të hibridit francez “Elisea” kanë konstatuar se në to prodhimi sivjet rezulton zero, si në të gjitha parcelat e tjera ku është mbjellë për misër kokërr kjo farë. Gjatë të mërkurës në Elbasan janë zbuluar vatra me sipërfaqe mbi 15 hektarë në disa fshatra ku misri është një nga kulturat bujqësore më të rëndësishme. Në komunën e Gostimës rezulton se është mbjellë me hibridin e farës “Elisea” mbi 85 për qind e sipërfaqes, e cila për këtë sezon nuk ka prodhim. Fermerët thonë se kur kanë blerë farën pranë pikave të “Agro-Blend”-it, me pronar kreun e Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, u është garantuar se kjo farë do të jepte superprodhim, por ka ndodhur e kundërta.
Skandali
Por jo vetëm në Elbasan, Fier dhe Korçë, por edhe në vatra të tjera me sipërfaqe të konsiderueshme pritet që palët e dëmtuara të organizohen për të ndjekur rrugën ligjore. Vetë firma shpërndarëse është shprehur se do të kontribuojë ligjërisht në shpagimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara prej saj, por qëndrimi i vagët i Ministrisë së Bujqësisë duket se po i drejton fermerët drejt dyerve të Prokurorisë. Vetëm javën e fundit, me dhjetëra raste u evidentuan në të gjithë vendin lidhur me shpërndarjen e farës së misrit që prodhonte kallinj pa kokrra. Ndërsa Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit vazhdon të deklarohet se janë në pritje të analizave për raste të përfolura, fermerët kanë vënë alarmin se rastet me misrin e modifikuar gjenetikisht po shtohen dita-ditës. Ministri Gjana po ashtu garantoi të gjithë fermerët për cilësinë dhe sigurinë e farërave dhe fidanëve bujqësorë të importuar, që shiten në tregjet e vendit. Duke vlerësuar problemin me 100 kuintalë farë misri, e cila prodhonte vetëm kallinj bosh (ngjarje e ndodhur ditët e fundit në zonën e Matit, Elbasanit, Peqinit dhe Fierit), kreu i Bujqësisë tha tri ditë më parë se inspektorët po kryejnë me rigorozitet dhe saktësi kontrollin e farërave dhe fidanëve në të gjithë vendin.
Fillesat
Sensibilizimi për dëmin kolosal shkaktuar bujqësisë filloi me protestën e dhjetëra fermerëve të komunës së Pajovës, në qytetin e Peqinit, të cilët janë ngritur pesë ditë më parë në protestë. Mijëra hektarë të mbjellë me misër kokërr kanë shkuar dëm dhe nuk kanë rezultuar prodhuese për shkak se, sipas tyre, fara e misrit, ka qenë jashtë standardeve. Fermerët janë të revoltuar pasi investimi me miliona lekë, për blerjen e farës, punimit të tokës etj., u ka shkuar dëm, ndërsa prodhimi dhe fitimi për këtë sezon është zero. Fermerët e komunës së Pajovës, e cila numëron mbi 12 mijë familje, të prekur nga ky skandal, paralajmëruan përshkallëzimin e protestës në fillim të javës së ardhshme. Madje fermerët paralajmëruan gjithashtu se do të kërkojnë pezullimin e aktivitetit për shpërndarësit e kësaj fare, konkretisht firmës “Agro-Blend”. Por ditët në vazhdim nuk u përshkallëzuan protestat, por skandali. Në krye të 48 orëve u zbuluan edhe pesë vatra të tjera me misër pa kokrra.

Skandali, Ministria nuk i informoi fermerët për rrezikun

Enti i Kontrollit të Farave në Ministri ka publikuar një listë me sasinë dhe llojet e farave të misrit të bllokuar deri në datën 20 maj të këtij viti. Mes subjekteve rezulton dhe firma “Agro-Blend”, ndërsa shifrat dhe statistikat e mbledhura nga inspektorët ngrenë disa pikëpyetje të rënda mbi rolin dhe qëndrimin e strukturave të Ministrisë së Bujqësisë. Të dhënat analitike flasin për sasi shumë të mëdha të farës së misrit, të asgjësuara apo të bllokuara në subjekte të ndryshme, ndërsa tabela e të dhënave parashikon edhe një rritje progresive në muajt në vazhdim të këtyre sasive me farë misri skarco. Kjo tabelë zyrtare, në mënyrë absolute vërteton se strukturat përkatëse të Ministrisë kanë qenë në dijeni që në fillim të sezonit të këtij viti se firmat dhe subjektet më të mëdha në vend të shpërndarjes së farës së misrit dispononin sasi shumë të mëdha në gjendje skadence. “Albania” është konsultuar me ekspertë të pavarur të bujqësisë, të cilët kanë sqaruar se “vetëm ky fakt është i mjaftueshëm që Ministria të kishte sensibilizuar dhe me spote televizive, madje gjithë prodhuesit, që të shfaqnin kujdes gjatë blerjes së farës. Këto sasi janë shumë të madha në raport me nevojat e përgjithshme në nivel kombëtar. Referuar faktit që të dhënat parashikonin një rritje progresive të këtyre sasive skarco, menjëherë ekspertë dhe punonjës të specializuar të Ministrisë duhet të kishin zbritur në terren për verifikime dhe kontrolle”.

6 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›