E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barka, nën hetim për 150 mijë euro

Merr përmasa financiare skandali me qendrën e fëmijëve të ngujuar në Poliçan. Burime pranë Prokurorisë së Beratit deklarojnë për gazetën se ish-ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, është nën hetim për tri fonde të lëvruara në drejtim të qendrës së fëmijëve të ngujuar. Shuma është rreth 150 mijë euro. Megjithëse është lëvruar një shumë e madhe, në "duart" e drejtuesve të qendrës kanë shkuar të pakësuara dhe kanë humbur rrugës. Hetuesit e çështjes dyshojnë se përfituesit mund të jenë punonjësit dhe ish-punonjësit e ministrisë. Ndërsa nuk përjashtohen nga hetimi edhe një shoqatë, si dhe punonjës të Bashkisë së Poliçanit, megjithëse prokurori i çështjes, Tasim Puci, ka firmosur një shkresë ku thuhet se përjashtohet nga hetimi kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotka. Por burime zyrtare nga Prokuroria e Beratit, thanë se shkresa në fjalë nuk përmban firmën e drejtuesit të prokurorisë dhe cilësohet si e paligjshme, pasi çdo dokument që del nga kjo prokurori duhet të mbajë firmën e drejtuesit. "Kemi dyshime se ish-ministri Kosta Barka ka abuzuar me dhënien e donacioneve ndaj qendrës. Këto shuma janë lëvruar tri herë. Fillimisht Banka Botërore akordoi 100 mijë euro për Qendrën e Fëmijëve të Ngujuar. Më pas ministria akordoi 3.2 milionë lekë dhe 2.2 milionë lekë. Shuma e mësipërme nuk dihet se ku ka përfunduar", thanë burimet nga Prokuroria e Beratit. Sipas tyre, do të merren në pyetje të gjithë personat e përfshirë në këtë skandal, ku si pasojë e shfrytëzimit të postit dhjetëra fëmijë të ngujuar kanë mbetur pa ushqime dhe veshmbathje. Faktet bëhen të ditura nga hetuesit, të cilët kanë zgjatur hetimet deri në Ministrinë e Punës dhe më konkretisht ndaj ish-ministrit Kosta Barka. Disa muaj më parë, Prokuroria e Beratit i ka dërguar një shkresë zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme, ku i kërkonte që t‘i hiqej imuniteti ministrit Kosta Barka. "Gjatë hetimeve paraprake për abuzimin me fondet e Qendrës së Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan, ka rezultuar se ministri Kosta Barka ka abuzuar me detyrën. Për këtë ai duhet të përgjigjet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës", thuhej në kërkesën e Prokurorisë së Beratit. Tashmë Prokuroria e Beratit nuk pret ndonjë hetim nga akuza qendrore, pasi zoti Kosta Barka nuk gëzon imunitetin e ministrit. Në lidhje me provat që ndodhen në dosje, prokuroria saktëson se zyrtarët e Ministrisë së Punës kanë shpërdoruar 150 mijë euro të destinuara për të shkuar në Qendrën e Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan. Disa ditë më parë, drejtuesi i Prokurorisë së Beratit, Xhemal Saliasi, ka bërë të ditur se kjo çështje nuk është e panjohur për këtë organ, por, sipas tij, do të hetohet në çdo detaj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›