Jordanezi falsifikon dekretin e Presidentit
Një jordanez është dërguar për ndjekje penale nga policia, pasi dyshohet se ka falsifikuar dekretin e Presidentit të Shqipërisë me qëllim pajisjen me pasaportë shqiptare. I njohur në Shqipëri me emrin Tayeh Husam, ai kishte mundur të kalonte të gjitha procedurat dhe gati po pajisej me pasaportë shqiptare, kur është zbuluar nga antikrimi ekonomik se kishte falsifikuar dokumentet e paraqitura. Burimet policore shpjegojnë se ngjarja ka ndodhur në Tiranë, ndërkohë që janë bllokuar të gjitha dokumentet e këtij personi, për të cilin kanë lindur edhe dyshime të tjera në lidhje me tentativën e tij për t‘u pajisur me pasaportë në vendin tonë. Sipas informacioneve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, dy ditë më parë, nga seksioni kundër krimit ekonomik u dërguan materialet në Prokurori, për veprën penale të "falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve", në ngarkim të shtetasit Husam Ibrahim Tayeh, 44 vjeç, banues në Tiranë, me shtetësi dhe kombësi jordaneze. Sipas policisë, ky person ka kërkuar që të pajiset me pasaportë shqiptare, duke falsifikuar dokumentet për nënshtetësi. Policia shpjegoi se zanafilla e këtij rasti shënohet kohë më parë. Duke u bazuar në ligjet shqiptare, Tayeh Husam ka paraqitur gjithë dokumentacionet e nevojshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për t‘u pajisur me një pasaportë. Dokumentet kanë kaluar në sektorin e pasaportave, që ka nisur verifikimet e këtij dokumentacioni, derisa është dyshuar se ai person nuk kishte fituar nënshtetësi në Shqipëri. Në këto kushte, dokumenti i paraqitur nga ai për fitimin e nënshtetësisë është administruar nga antikrimi ekonomik. Sipas të dhënave, jordanezi kishte paraqitur një dekret të nxjerrë që në vitin 1997, nga Presidenti i Republikës, në atë kohë Kryeministri aktual Sali Berisha. Në këtë dokument të paraqitur deklarohej se jordanezi kishte përfituar nënshtetësi shqiptare. Por nga krahasimet e bëra me dokumentet e Ministrisë së Brendshme dhe nga dekreti origjinal, ka rezultuar se 44-vjeçari nuk e kishte fituar asnjëherë diçka të tillë. Në këto kushte, policia ka sekuestruar fotokopje të tri dokumenteve të paraqitura. Burimet policore thanë se kanë sekuestruar një fotokopje të dokumentacionit të paraqitur, fotokopje të pasaportës jordaneze, me emër Husam Ibrahim Ali Tayeh dhe fotokopje të pasaportës shqiptare, me emër Tayeh Husam. Të gjitha këto dokumente i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës në ngarkim të jordanezit, ndërkohë që hetimet janë shtrirë edhe më tej. Sipas policisë, po hetohet motivi i shtetasit jordanez që ka falsifikuar këto dokumente për të fituar nënshtetësinë shqiptare. Kjo ka sjellë dyshime se ai ka pasur qëllime të tjera për nënshtetësi. Policia tha se jordanezi do të merret në pyetje në lidhje me këtë falsifikim.
Nënshtetësia
Refuzimet e Shqipërisë
për të huajt e Lindjes
Shpeshherë, Ministria e Brendshme, apo edhe Presidenti kanë kthyer mbrapsht dokumentet për nënshtetësi, sidomos për shtetasit e huaj. Sipas të dhënave në polici, kjo ka ndodhur për arsye të ndryshme, që nga dyshimet për personat aplikues, deri te mosplotësimi i rregullt i dokumentacionit. Rastet më të shumta kanë qenë me shtetasit e huaj që vinin nga vendet e Lindjes, ose nga vende ku Shqipëria nuk kishte ambasadë dhe e kishte shumë të vështirë të bënte verifikimet përkatëse për vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura. Nga ana tjetër, ka pasur edhe raste kur shteti shqiptar ka marrë informacione nga shërbimi sekret për cenimin e sigurisë kombëtare dhe ka vendosur që personave të caktuar të mos t‘u jepet nënshtetësi, ose edhe thjesht leje-qëndrim, duke arritur deri aty sa edhe i ka cilësuar si të padëshiruar në territorin shqiptar. Por, ndryshe ka ndodhur me shtetasit e huaj që vinin nga Perëndimi, të cilët kanë përfituar më lehtë nënshtetësi shqiptare.
Kushtet për shtetësi shqiptare
- Të ketë mbushur moshën 18 vjeç. Llogaritja bëhet në ditën e bërjes së kërkesës
- Të ketë banuar ligjërisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të vazhdueshme, për jo më pak se pesë vjet
- Të ketë banesë dhe të disponojë të ardhura të mjaftueshme
- Të mos ketë qenë ndonjëherë i dënuar në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë vend tjetër për vepra penale, për të cilat ligji parashikon dënime me jo më pak se tre vjet heqje lirie. Përjashtim nga ky rregull bëhet në rastet kur vlerësohet se dënimi është dhënë për motive politike
- Të ketë njohuri, të paktën fillestare, të gjuhës shqipe
- Dhënia e shtetësisë shqiptare të mos prekë sigurimin dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë
Cilat janë afatet për shtetësinë shqiptare?
- Ministria e Rendit Publik, brenda gjashtë muajve nga data e paraqitjes së kërkesës për shtetësinë shqiptare vendos për paraqitjen ose jo të kërkesës pranë Presidentit të Republikës.
- Vendimi i Ministrisë së Rendit Publik për paraqitjen ose jo të kërkesës pranë Presidentit të Republikës i bëhet i njohur të interesuarve, të cilët, nëse nuk janë dakord me përmbajtjen e vendimit, mund të ngrenë padi në Gjykatën e Rrethit Tiranë.
- Presidenti i Republikës, brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës së Ministrisë së Rendit Publik, nxjerr dekretin përkatës.