E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ngacmon gruan, tenton të vrasë "Roki Balboa"-n

Breshëri plumbash mbi të ashtuquajturin "Roki Balboa" dhe përfundon në prangat e policisë. Ka qenë një konflikt i vjetër mes dy personave që ka degjeneruar dje në përplasje me armë, por fatmirësisht nuk ka pasur të dëmtuar. Ngjarja ka ndodhur në Bathore të Tiranës, ndërkohë që policia ka arrestuar autorin e ngjarjes, Tomor Aliaj. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se arrestimi i 26-vjeçarit Aliaj, lindur në Kukës dhe banues në Kamzë, u krye nga seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit menjëherë pas këtij atentati. Sipas të dhënave nga uniformat blu, në orën 07.00, në lagjen nr. 5 të Bathores, afër fabrikës së asfaltit të firmës "Euroteorema", Tomor Aliaj ka qëlluar me armë në drejtim të shtetasit, Sazan Belba, i cili njihet me nofkën "Roki Balboa". Sipas policisë, qëllimi i tij ka qenë për të vrarë Belbën, pasi mes tyre ka një konflikt të vjetër. Grupi hetimor shpjegoi se konflikti ka ardhur, pasi Belba kishte shqetësuar në telefon bashkëshorten e Aliajt. Në shenjë hakmarrjeje, ky i fundit kishte tentuar ta vriste. Policia tha se në vendin e ngjarjes u sekuestruan katër gëzhoja automatiku, ndërkohë që arma e krimit nuk është gjetur. Megjithatë, i arrestuari ka pranuar akuzën dhe ka treguar pse e kishte kryer këtë atentat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›