E Hënë, 2 Nëntor 2026

Barna me shpjegime shqip, së shpejti nisin kontrollet

03/06/2005  Farmacitë që nuk i kanë barnat “shqip” por kontrabandë, ndëshkime deri në mbyllje

Këtë javë të gjitha barnat që po shiten në farmaci janë të pajisura me shpjegime, etiketë në gjuhën shqipe si dhe me çmimin përkatës. E kundërta do të mund të provojë që medikamentet që tregtohen pa këtë element, nuk janë të licensuara apo të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Pra kanë hyrë kontrabandë. Ndërkohë, pas disa javësh do të nisë kontrolli në farmaci dhe barnat kontrabandë do të sekuestrohen. Do të merren masa deri në mbylljen e farmcisë.

Kështu, veç etiketës, po në gjuhën shqipe do të jenë edhe përbërja e medikamentit, mënyra e përdorimit dhe lloji i sëmundjes për të cilën përdoren. Të gjitha këto do të kontrollohen në mënyrë të rreptë nga inspektorë të veçantë të Qendrës së Kontrollit të Barnave, mbas pajisjes me etiketa. Të gjitha farmacitë, pa as më të voglin përjashtim, që nuk do t'i kenë barnat me etiketa në shqip, do të ndëshkohen. Kjo masë ndëshkimi do të arrijë deri atje sa t'u heqë atyre edhe të drejtën e punës. Në fakt, procesi i etiketimit do të jetë nga ana e saj edhe një siguri më shumë për të gjithë përdoruesit e barnave, qoftë këta edhe rastësorë. Kjo, pasi asnjë medikament nuk do të pajiset me etiketë në gjuhën shqipe pa kaluar më parë një proces kontrolli të rreptë nga të gjithë specialistët e Ministrisë së Shëndetsisë. Pra, marrja e OK-it për tregtimin e barnave do të bëhet vetëm në rast se ato i plotësojnë të gjitha kërkesat dhe kushtet e duhura. Tanimë konsumatori është më i sigurtë dhe veç kësaj nuk do të ketë më në duar barna, të cilat përmbajnë etiketa të pakuptueshme, dhe nuk do të mjaftohen vetëm me shpjegimin e farmacistëve. Ata do të kenë mundësi, që veç medikamenteve të përshkruara nga mjeku specialist, edhe të zgjedhin në mënyrë individuale qetësues për shqetësimet e tyre. Ndërkohë brenda këtyre ditëve, pra, të gjitha farmacitë e vendit do të përfshihen nga kontrollet. Është menduar që të kontrollohen edhe një herë në mënyrë të hollësishme të gjitha farmacitë e vendit për të verifikuar përmbajtjen e barnave që tregtojnë, mënyrën e tregtimit dhe ambieti, i cili përbën një faktor mjaft të rëndësishëm, pasi ai duhet të jetë ndër të tjera mjaft higjienik dhe i përshtatshëm për tregtimin e barnave për konsumatorin. Nga ana e tij, edhe ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, e ka komentuar tregtimin e barnave me etiketa të vulosura nga institucioni që ai drejton, si një veprim mjaft të mirë dhe që nuk le më shkak për asnjë lloj abuzimi. Vetëm pak kohë më parë, të gjithë depot farmaceutike dhe firmat farmaceutike janë njohur edhe me një vendim të ri, i cili ka të bëjë me importin e barnave, që duhet të jetë detyrimisht nga vendet e Bashkimit Evropian, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara. Pasi cilësia e këtyre medikamenteve është shumë herë më e lartë dhe e sigurtë. Të gjitha këto vendime te reja, të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shëndetin e pacientëve, tregojnë edhe një herë se puna e drejtuesve të shëndetësisë për të mbrojtur jetën e qytetarëve, është shumë e madhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›