E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kontroll financiar për bankat dhe shoqëritë e sigurimit

03/06/2005  Shoqëritë e sigurimit do të kalojnë në rrugë bankare të gjitha transaksionet financiare

Tregjet financiare po organizohen dhe mbikëqyrja e tyre nuk mund të bëhet më vetëm nga Banka e Shqipërisë pa ndihmën e vetë institucioneve që e përbëjnë këtë treg. Kështu duket se Banka e Shqipërisë ka rënë dakord të nënshkruaj një marrëveshje bashkëpunimi me Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Autoritetin Mbikëqyrës të Sigurimeve për të bërë të mundur kontrollin efikas mbi veprimtarinë financiare, zbatimin e ligjit dhe mbi të gjitha kalimin gradual të të gjitha veprimeve dhe transaksioneve finanicare në rrugë bankare. Marrëveshja është nënshkruar nga Guvernatori i BSH-së, Adrian Fullani, drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes, Merita Xhafa dhe zv.drejtoresha e Komisionit të Letrave me Vlerë, Elisabeta Gjoni. Të tri palët kanë rënë dakord në parim, por duket se leverdia e kësaj marrëveshjeje do të shikohet në ditët në vazhdim. Kështu, shtimi i numrit të subjekteve që operojnë në tregjet financiare dhe konkurrenca e ashpër në treg, kanë bërë që autoritetet mbikëqyrëse të rrisin vëmendjen. Tashmë duhet një rol më i fortë rregullator për të ruajtur parametrat e drejtë në treg dhe për të bërë të mundur zbatimin e të gjitha rregullave të lojës. “Marrëveshja krijon mundësi reale që brenda kërkesave të kuadrit ligjor të rritet bashkëpunimi në drejtim të shkëmbimit të informacionit dhe të ekspertizës si dhe të koordinimit më të mirë në veprimtarinë mbikëqyrëse”, ka bërë të ditur Guvernatori, Fullani, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes. Ndërkaq, drejtoresha e Autoritetit Mbikëqyrës të Sigurimeve, Merita Xhafaj, ka pranuar se tregu i sigurimeve ka mundësi të mëdha të përfitojë nga kjo marrëveshje.

“Ky është një element shtesë në përpjekjet e suksesshme që ka bërë institucioni që ajo drejton, drejt reformimit dhe forcimit të funksionit mbikëqyrës në fushën e sigurimeve”, ka deklaruar Merita Xhafaj. Ndërkaq, kreu i BSH-së ka sqaruar se të gjitha autoritetet mbikëqyrëse do të kenë një rol më të fortë, por ajo që e bën marrëveshjen interesante është se të tria bashkë do të kenë mundësi të mbikëqyrin financiarisht tregjet dhe t’i orientojnë ato drejt bankave. “Marrëveshja krijon premisa reale për zbatimin e standardeve më të mira në drejtim të mbikëqyrjes financiare”, tha gjatë takimit Guvernatori Fullani.

Ponari, nuk dimë asgjë për këtë marrëveshje

Autoriteti i Mbikëqyrjes së Sigurimit ka nënshkruar një marrëveshje me BSH-në dhe Komisionin e Letrave me Vlerë, ndërkohë që vetë Institutet e Sigurimeve nuk dinë asgjë në lidhje me këtë pakt. “Unë jam kryetar i Shoqatës së Sigurimeve dhe nuk jam i lajmëruar për një marrëveshje të tillë dhe mbi atë çfarë ajo synon“, thotë Avni Ponari. Kështu, sipas kreut të siguruesve, nuk është e drejtë që Shoqëritë e Sigurimit që do të jenë aktorë të kësaj marrëveshjeje, të mos informohen mbi veprimtarinë dhe ato çfarë merr përsipër të nënshkruaj Autoriteti Mbikëqyrës. “Nuk mund të them se çfarë efekti do të ketë kjo marrëveshje, kur nuk e kam idenë se për çfarë bëhet fjalë“, ka deklaruar Ponari, duke sqaruar se do të kërkojë të gjithë informacionin e nevojshëm mbi marrëveshjen dhe atë çfarë ajo sjell për tregun e sigurimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›