E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat e Rimbursueshme, fëmijët dhe të sëmurët kronikë, më të privilegjuarit



Edhe pse lista e barnave me rimbursim për këtë vit pritet të jetë e rrudhur për shkak të buxhetit të ulët që është vënë në favor të saj, ata që do të jenë më të privilegjuarit, janë fëmijët dhe të sëmurët kronikë. Kështu, barnat janë vendosur sipas prioriteteve, duke nisur nga fëmijët hemofilikë, të sëmurët me kancer etj. Ndërsa në listën aktuale të barnave të rimbursueshme jan bërë disa përmirësime në formë-doza, për të cilat ISKSH-ja është shprehur në favor pasi arrin të mbuloje koston financiare. Komisioni për hartimin dhe rishikimin e listës së rimbursimit, që u mblodh pak ditë më parë në Ministrinë e Shëndetësisë, vendosi që në listën e barnave të rimbursueshme të shtohen 20 alternativa barnash në formë dozash, si dhe të bëhet zëvendësimi i 5 barnave ekzistuese në listën aktuale. Zëvendësimi i tyre të bëhet me të njëjtat barna, por që kanë një përshtatje të formë-dozës me të cilën ato janë regjistruar dhe qarkullojnë në Shqipëri. Njëkohësisht ky komision vendosi që të hiqen nga lista 11 barna, të cilat nuk janë në qarkullim në vendin tonë ose janë deklaruar nga vetë fabrikuesit e tyre që nuk do të prodhohen më në atë formë. Specialistët theksojnë se për ato sëmundje, të cilat trajtoheshin më parë me këto barna, ekzistojnë në listën aktuale alternative të njëjta për trajtimin e tyre. Kështu, komisioni ka marrë parasysh propozimin e ISKSH-së për të pasur dy lista me barna alternative, një listë të plotë të barnave të rimbursueshme dhe listën me bashkëpagesë me pacientin.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›