Gjirokastër, fushatë sensibilizuese për mbrojtjen e shëndetit
Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në qytetin e Gjirokastrës, kanë nisur një fushat sensibilizuese për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Gjithçka është bërë në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit”. Specialistët e Shëndetit Publik në bashkëpunim me studentët e degës së infermierisë të Universitetit “Eqrem Çabej” dhe Korpusin e Paqes, kanë organizuar një fushatë sensibilizuese kundër sëmundjeve të ndryshme. Zëdhënësi i shtypit në Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik, Bledar Akmetaj, se qëllimi i kësaj fushate sensibilizuese është ndërgjegjësimi i komunitetit për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, si dhe masat që duhet të merren në rast se preken nga viruset e ndryshme. Kjo drejtori ka vendosur që gjatë këtij viti do të vijojë fushatën sensibilizuese në të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Specialistët kërkojnë që të gjithë qytetarët të informohen mbi sëmundjet që qarkullojnë në rajon. Për këtë, po punohet së pari, me nxënësit e shkollave dhe studentët, të cilët duhet të njihen dhe të përcjellin mesazhin dhe njohuritë lidhur me këtë çështje. Kjo fushatë sensibilizuese do të vijojë edhe në ditën e ardhshme, duke aplikuar forma dhe metoda të ndryshme në dobi të sigurisë së jetës dhe shëndetit publik.
8 Prill 2008