E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrohja globale, tani do jetojmë dy vite më pak

Dita Botërore e Shëndetit, në rrezik jeta e qytetarëve nga ndotja. Ndoka: “Kujdes më i madh ndaj ujit, higjienës dhe ushqimit të sigurt”

Emanuela Sako

Niveli i lartë i ndotjes ndikon në uljen e jetëgjatësisë së shqiptarëve. Specialistët e ISHP-së kanë bërë matje të gazrave në ajër NO2 dhe Benzenit, të cilat kanë rezultuar tepër të larta dhe 30 për qind mbi normat e lejuara nga BE-ja. Të gjithë këta elementë merren nëpërmjet ajrit dhe janë të dëmshëm për shëndetin e njeriut, pasi përmbajnë elementë kancerogjenë. Kështu jeta e shqiptarëve, rrezikohet të shkurtohet nga 1,5 deri në dy vjet më pak. Të dhënat janë bërë të ditura në Ditën Botërore të Shëndetit, ku ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, deklaroi se ndryshimi i klimës si pasojë e ngrohjes globale, rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe krijon sfida të reja, të panjohura më parë, për sistemin tonë shëndetësor. Ndërkohë që në vendin tonë ende nuk ka politika që mundësojnë parandalimin e ndotjes.
Ngrohja Globale
Shkencëtarët e shumë vendeve kanë dhënë alarmin se ngrohja globale, që shoqërohet me ndryshime të thella klimatike, po bëhet një kërcënim gjithnjë e më i madh për shëndetin e njerëzve. Sipas ministrit Ndoka, nga ky kërcënim global nuk janë të përjashtuar as qytetarët e Shqipërisë, edhe pse ne jemi një vend i vogël, në zhvillim e sipër, dhe nuk jemi ndonjë faktor që ndikon në ngrohjen globale. Specialistët theksuan se ka një shtim të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, ndotje të ujit dhe të ajrit dhe shumë sëmundje të tjera që provokohen nga këto ndryshime. Shqipëria ka probleme për shkak të një ekosistemi të dëmtuar dhe të ndotjeve që ka shkaktuar urbanizimi i shpejtë, dy e trefishimi i popullsisë në qendrat kryesore urbane, brenda një periudhe të shkurtër kohore, në më pak se dy dhjetëvjeçarë.
Vendet e varfra
Specialistët sqarojnë se ndryshimet klimaterike godasin më shumë vendet e varfra dhe vendet relativisht të varfra që janë në zhvillim e sipër, siç është vendi ynë. Kjo vjen për shkak të problemeve social-ekonomike që kanë këto vende dhe detyrimisht janë më të ekspozuara ndaj rreziqeve mbi shëndetin dhe janë ato që vuajnë më shumë pasojat e ndotjes. Po kështu, edhe mosha e tretë apo fëmijët e vegjël i ndjejnë më shumë pasojat e këtyre rreziqeve që vijnë nga ndryshimi i klimës. Për të shmangur sa më shpejt pasojat, Ndoka u shpreh se nevojitet një kujdes më i madh ndaj ujit të pijshëm dhe higjienës, ambientit të pastër dhe ushqimit të sigurt, imunizimit dhe mbikëqyrjes së sëmundjeve, kontrollit të vektorëve dhe përgatitjes ndaj katastrofave.
”Sistemi ynë Shëndetësor do të përshtatet dhe do të përgatitet për këto sfida të reja, që në çdo rast të jetë i aftë të ndërhyjë dhe të përballojë situatat kritike që mund të krijohen nga ndryshimi gradual i klimës”,- shpjegoi ministri Ndoka.
Sëmundjet
Sipas specialistëve të ISHP-së, ndotja rrezikon shfaqjen e një numri të lartë sëmundjesh. Kështu, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes pasohen nga sëmundjet e moshës perinatale, sëmundje simptomatike, sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut, infeksione të sistemit nervor qendror, infektive, etj. Specialistët rekomandojnë nevojën e studimeve të mirëfillta për ndikimin e faktorëve mjedisorë në shëndetin e fëmijëve dhe sidomos në moshat më të ndjeshme (0-1 vjeç dhe nën 5 vjeç). Disa rrethe dhe qarqe kanë vdekshmëri foshnjore më të lartë se mesatarja e vendit. Kjo ndodh në qarkun e Elbasanit vdekshmëria foshnjore dhe ajo fëminore janë në nivele të larta, gjë që kërkon studime të faktorëve mjedisorë në grupmoshat më të ndjeshme në këtë zonë. Sipas studimeve Europiane, një nga sëmundjet e sistemit respirator që ndikon tek fëmijët është astma - 10% e fëmijëve. Astma dhe sëmundjet e tjera respiratore akute dhe kronike janë shkaqet kryesore për trajtimin dhe hospitalizimin e fëmijëve. Këto sëmundje në vendin tone, përbëjnë një grup të rëndësishëm që japin një vdekshmëri të lartë të kësaj grup-moshe, sepse fëmijët janë grupi më i ndjeshëm nga ndotja e mjedisit. Ata janë veçanërisht të ekspozuar nga toksinat në ujë, ushqim dhe ajër, sepse ata pinë më shumë ujë, hanë më shumë ushqim dhe marrin më shumë ajër se sa të rriturit në raport me volumin e trupit. Duke u bazuar te statistikat, vërehet se numri i vdekjeve të shkaktuara nga sistemi respirator në moshën 0-14 vjeç, zë 25 për qind të vdekjeve në përgjithësi. Pjesën kryesore të sëmundjeve, 82.4 për qind, e përbëjnë rastet e grupit të pneumonisë dhe bronkopneumonisë, ndërsa në vend të dytë janë sëmundjet kronike dhe astma me 9.3 për qind.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›