E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erozioni, izolimi rrezikon edhe Dibrën

Shkarja e dherave ka bllokuar dje rrugën nacionale në Burrel

Reshjet e dendura të dëborës dhe shiut, që vazhdojnë të bien prej ditësh, kanë rrezikuar rajonin e Dibrës, i cili mund të mbetet i izoluar për shkak të shembjes së rrugëve. Kështu, prej më shumë se një muaji ka pasur rrëshqitje të tokës dhe bashkë me të edhe të rrugës nacionale Bulqizë-Burrel. Bllokimi i rrugës ka ndodhur në vendin e quajtur Kthesa e Sanës, vetëm rreth 1 km larg qytetit të Burrelit, në lindje të tij. Kjo ka shkaktuar probleme tejet serioze në lëvizjen e automjeteve në këtë rrugë që lidh verilindjen, rrethet Dibër e Bulqizë me rrethet e tjera të vendit. Ndërkaq, mësohet se firma e kontraktuar për mirëmbajtjen e këtij segmenti rrugor ka improvizuar rrugë dytësore për kalimin e mjeteve, por rrëshqitjet e tokës duket se nuk kanë të ndalur. Vërehet se për çdo ditë këto rrëshqitje vazhdojnë, gjë që çon në bllokimin e herëpashershëm të rrugës. Të paktën dy deri në tri orë të çdo dite, rruga mbahet e bllokuar, si pasojë e rrëshqitjeve që vazhdojnë. Për çdo ditë, punonjësit punojnë për lirimin e rrugës me fadromë dhe mbushjen e saj me inerte, por kjo mbetet e vështirë, pasi siç pohojnë vetë punonjësit e firmës, në çdo 24 orë rrëshqitja e tokës avancon me rreth 2 metra. Situata e rënduar në këtë rrugë, që është e vetmja që lidh Dibrën dhe trevat shqiptare të Maqedonisë me kryeqytetin dhe rrethet e tjera të vendit, po çon në shkatërrimin e plotë të këtij segmenti rrugor dhe për pasojë në izolimin e krejt verilindjes. Nëse rruga shembet, atëherë e vetmja mundësi komunikimi rrugor për rajonin e Dibrës mbetet lëvizja nga Maqedonia. Problem për momentin janë bërë edhe kamionët e transportit të kromit nga miniera e Bulqizës, që për shkak të ngarkesës së rëndë e kanë tejet të vështirë kalimin në këtë segment rrugor. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve Dibër pohojnë se ky segment rrugor gjithmonë ndër vite ka qenë problematik dhe se për zgjidhjen e këtij problemi nevojiten investime serioze.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›