E Diel, 1 Nëntor 2026

Barnat e rimbursueshme, përfitojnë 250 mijë pensionistë

Autori i Lajmit: Entela Duraj
“Kjo listë ka edhe kombinime të reja mjekimesh të cilat përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për moshën e tretë për sëmundje si astma bronkiale, epilepsia etj”

Listës së barnave të rimbursueshme i janë shtuar edhe 31 medikamente të reja ose 70 alternativa. Nga kjo listë përfitojnë 250 mijë pensionistë të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike. E reja e listës së vitit 2009 ishte rimbursimi me barna për të sëmurët me veshka dhe leucemi. Ministrja Godo dhe drejtoresha Hana thanë se 30 pacientë të sëmurë me leucemi dhe 10 pacientë që janë planifikuar të kryejnë transplantin e veshkave në QSUT do të trajtohen me medikamente të rimbursueshme. Përllogaritet që vetëm receta e një pacienti me leucemi të ketë një kosto 3.6 milioë lekë. Në listën e barnave të rimbursueshme tashmë përfshihen gjithsej 405 medikamente alternativë e parë, ndërkohë që vitin tjetër kjo shifër pritet të rritet sërish. Por kjo listë ka edhe kombinime të reja mjekimesh të cilat përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për moshën e tretë për sëmundje si astma bronkiale, epilepsia etj. Përpos barnave që mbulojnë diagnoza të reja dhe kombinimeve të reja të mjekimit, në këtë listë janë shtuar formë doza të reja të barnave që janë në listë të cilat kanë përdorim më të përshtatshëm për fëmijët, të sëmurët kronikë etj, duke sjellë një përmirësim të cilësisë së shërbimit.
Godo
“Qeveria shqiptare, gjatë këtyre katër viteve të fundit, i ka kushtuar vëmendje të veçantë politikës së rimbursimit të barnave mjekësore. Për këtë vit, listës së rimbursueshme i janë shtuar 31 barna të reja, 70 alternativa tregtare të reja, duke e çuar në 405 numrin total të listës,” tha dje ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë një konference për shtyp. Sipas saj, "reforma dhe politika shëndetësore që po zbatojmë ka si qëllim kryesor t i ofrojë qytetarit një shërbim shëndetësor gjithnjë e më cilësor e në të njëjtën kohë me kosto të përballueshme". Në këtë kuadër, përbëjnë suksese reforma në sektorin farmaceutik dhe shtrirja e skemës së financimit, nëpërmjet sigurimeve shëndetësore.
Hana
Drejtoresha e Institutitit të Sigurimeve të Kujdesist Shëndetësor, Elvana Hana tha se lista i vjen në ndihmë, një kontigjenti në nevojë të popullatës, ndërkohë që ISKSH, do të fusë në skemën që përfitojnë nga barnat e rimbursueshme 30 pacientë që vuajnë nga leucemia. "Janë të tëra barna që kanë target për popullatën në nevojë, të pensionistëve. Instituti ka marr përsipër që vetëm në këtë vit të mbulojë për afro 30 pacientë me diagnozën e leucemisë kronike, kështu që është një sukses i madh", tha Elvana Hana, drejtoreshë e ISKSH-së.
Kostoja
Fatura financiare për 405 barnat që do të ketë lista e vitit 2009 parashikohet të jetë 4.7 miliardë lekë të reja. Kjo listë do të ketë barna mjaft të shtrenjta, por mbi të gjitha do të trajtohen qindra pacientë me sëmundje të rënda, barnat për trajtimin e të cilave futen për herë të parë në listën e rimbursimit, sikurse janë leucemia, infeksionet post-transplant. “Ne sot arrijmë të mbulojmë 95% të sëmundshmërisë kronike me listën e rimbursimit dhe kjo është një arritje mjaft e madhe. Vetëm për një bar (Imatinib 100mg caps) i cili përdoret për leucemitë kronike, fatura financiare për një pacient në muaj është mbi 3 milionë lekë të vjetra, duke shpëtuar në këtë mënyrë dhjetra pacientë nga vdekja,” tha Hana. Vëmendje të veçantë në këtë listë të re barnash kanë patur pacientët e rinj që vuajnë nga sëmundje të rënda sikurse është leucemia apo pacientët që kryejnë transplant. Për këta të fundit është futur për herë të parë në listë një bar i ri antiviral që shërben për trajtimin e infeksioneve post-transplanti. Vetëm për një pacient në muaj vlera mesatare e recetës është afro 2 milionë lekë të vjetra.

Ky lajm është publikuar: 16/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›