E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrave s ka kaluar, evidentohen raste të reja

Autori i Lajmit: red.
Alarmi për gripin e derrave nuk ka kaluar ende. Paralajmërimi vjen nga shefja e OBSH-së, Margaret Chan, cila ka paralajmëruar për mbajtjen lart të nivelit të sigurisë, për shkak të përhapjes së gripit të derrave. Sipas saj, është ende e paqartë deri në ç masë virusi pak i njohur H1N1, mund të kërcënojë veçanërisht Azinë Juglindore, që u prek më shumë nga virusi H5N1 i gripit të shpendëve. Gjatë një takimi në Gjeneve, Chan tha se ndodhemi në një periudhe krize, që mund të ketë ndikim në gjithë botën, ndërsa kërkoi që vendet ku janë konstatuar raste të dërgojnë kampione të virusit, që janë të nevojshme për shkencëtarët që po punojnë për vaksinën kundër sëmundjes. Por Indonezia ka refuzuar të dorëzojë kampione, pa garancinë se nëse prodhohet vaksina, vendeve të varfra do t u shitet me çmim të përballueshem. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar për 1000 raste të reja me virusin H1N1 në 24 orët e fundit. Sipas informacioneve të reja, numri i të prekurve në të gjithë botën, mund të arrijë shifrën 7520, ndërsa viktimat janë 65. Shefja e OBSH-së ka thënë se në rast të një përzierje të dy viruseve H5N1 dhe H1N1, impakti do të ishte i madh, por një gjë e tillë nuk dihet nëse do të ndodhë. Sipas të dhënave gripi i derrave ka shënuar viktimën e katërt në SHBA. Bëhet fjalë për një grua me probleme të rënda në mushkëri, që vdiq si pasojë e gripit A. Ndërkaq, në Kubë njoftohet se janë konfirmuar dy raste të reja, ku të prekurit janë dy studentë meksikanë, që e kanë çuar në tre numrin e të infektuarve. Edhe Peruja njoftoi rastin e parë të sëmundjes, së bashku me Malajzinë. Në Poloni është njoftuar për një pacient të dytë të sëmurë me virusin H1N1. Në Kanada janë raportuar 499 raste të konfirmuara.

Ky lajm është publikuar: 16/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›