Barnat, pulla e dyfishtë nuk ndikon në rritjen e çmimit
Çmimi i barnave nuk do të pësojë rritje nga vendosja e pullës së dyfishtë, pasi koston e kësaj të fundit do ta paguajnë kompania prodhuese edhe importuesi i ilaçeve. Këtë deklaratë e kanë bërë dje anëtarët e maxhorancës në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë gjatë diskutimit me deputetët e opozitës për projektligjin e ri “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”. Sipas deputetëve të maxhorancës, vendosja e pullës dyfishe në çdo paketë medikamenti nuk ndikon në rritjen e çmimit të barnave, duke mos pasur kështu asnjë efekt financiar për pacientin, sepse koston e pullës dyfishe do ta paguajë kompania prodhuese dhe importuesi. Por, megjithë diskutimet, Komisioni i Shëndetësisë miratoi dje Ligjin e Barnave, të debatuar pikërisht për këtë pikë. Pulla dyfishe vendoset për të disiplinuar shitjen e barnave dhe për të kontrolluar si mjekët në zbatimin e protokolleve mjekësore ashtu edhe farmacistët, kryesisht për recetat me rimbursim. Bar kodi që do të ketë pulla dyfishe do të përmbajë mbi 10 elemente sigurie, gjë kjo që bën të mundur që medikamenti të “gjurmohet” në çdo kohë. Në momentin kur pulla hyn në lexues optik del deri dhe emri i punonjësit që ka bërë zhdoganimin. Sipas Ligjit të ri për Barnat, farmacistët do t’i japin ilaçet vetëm me recetën e mjekut, ndërkohë që ISKSH mund të verifikojë saktësisht recetën e lëshuar nga mjeku për barin që rimbursohet, i cili shkon te pacienti. Në fakt, zbatimi në praktikë i këtij projektligji parashikohet të zgjidhë probleme mjaft të rëndësishme në tregun e barnave, duke filluar që nga ato që vijnë kontrabandë në vendin tonë e deri tek abuzimi që bëjnë mjekët dhe farmacistët me ilaçet që u japin pacientëve. Përsa i përket, kontrabandës së barnave, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave (QKBB) ka konstatuar disa raste të ilaçeve kontrabandë muajt e fundit. Mekanizmi ishte shumë i thjeshtë, medikamentet origjinale ishin shitur pa ambalazh dhe në paketën me pullën e kësaj qendre ishin futur kontrabandë. Këtë e pohoi vetë drejtori QKBB, Besnik Jakaj në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, ndërsa po diskutohej Ligji i Barnave. Sipas tij, vendosja e pullës dyfishe mendohet të minimizoj kontrabandën, pasi nuk do të mund të blesh më disa kokrra barna, por gjithë paketën. Kjo, pasi pullat do të dorëzohen në QKKB. Para një viti në Itali ndodhi një skandal me barnat me rimbursim megjithëse ato kishin pullë dyfishe. Kjo, pasi farmacistët plotësonin receta false me rimbursim. Por, mbledhja e pullave, kontrolli i tyre me lexues optik dhe më pas djegia do të shmangë këtë rrezik. Megjithëse koha se kur do të fillojë aplikimi i pullës së dyfishtë për barnat do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në relacionin e projektligjit të ri “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” bëhet e ditur se “është negociuar dhe është rëndë dakord me koncesionarin se pulla e kontrollit të barnave do të prodhohet në formatin e pullës së vetme (njëfishe), të paktën deri më 31 dhjetor, ndërsa pulla e kontrollit të barnave do të prodhohet në formatin e pullës së dyfishtë që prej datës 1 janar 2012 dhe për të gjithë kohën që është në fuqi kontrata e koncesionit”.