Gratë sipërmarrëse, drejtojnë 30 % të biznesit të vogël
Çelet Panairi dyditor “Fuqizimi Ekonomik i gruas - Fuqizim ekonomik i Shqipërisë”
Rreth 30 mijë biznese të vogla në vendin tonë drejtohen nga gratë. Ndërkohë që sektori prodhues në vend, shumicën e punonjësve e ka femra. Vetëm gjatë vitit 2010 janë punësuar rreth 51,1 % gra nga numri total i punëkërkuesve. Por, pavarësisht këtyre arritjeve, barazia gjinore në Shqipëri mbetet një sfidë për t’u realizuar. Ky ka qenë premtimi i ministrit të Punës, Spiro Ksera, në ceremoninë e çeljes së panairit, në Tiranë, “Fuqizimi ekonomik i gruas-Fuqizimi ekonomik i Shqipërisë”. “I është kushtuar rëndësi përfshirjes së femrave nga grupet e veçanta si rome, me aftësi të kufizuara, të trafikuara, të divorcuara, me probleme sociale dhe ato mbi 35 vjeç. Ndonëse numri i bizneseve të mesme dhe të mëdha, të drejtuara nga gratë, është ende i vogël, ato që po zhvillohen po tentojnë suksesin e sigurt”, - tha ministri Ksera. Në ceremoninë e çeljes së panairit e mori fjalën edhe z.Andrew Majbrook në emër të USAID, i cili vuri në dukje se tashmë gratë biznesmenë duhet të fillojnë një bashkëpunim mes tyre për të evidentuar pengesat me të cilat mund të haset biznesi i tyre gjatë viteve të ardhshme dhe të përcaktojnë rrugët dhe mjetet për kalimin e tyre. Po ashtu, aktiviteti u përshëndet nga përfaqësuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë, përfaqësuesja e Shoqatës së Grave Biznesmene, etj. Panairi është organizuar me mbështetjen e USAID, Dhomës Amerikane të Tregtisë, si dhe Shoqatës së Grave Profesioniste, Afariste e Zejtare. Në panair marrin pjesë rreth 45 subjekte tregtare, nga zona të ndryshme të vendit, të cilat pasqyrojnë punën e femrave shqiptare. Panairi do të jetë i hapur, edhe ditën e mërkurë, deri në orën 20:00 të mbrëmjes.