E Diel, 1 Nëntor 2026

Baroni Pinari, raketat që shiste në Tiranë i blinte vetë nga ishujt Seishell

Zbardhet skandali me manipulimin e blerësve të municioneve të rënda. Pinari themeloi në Angli firmën “Helmtech Development Ltd” në Seishell

Tiranë - Një prej kontraktoreve më të mëdha të ndërmarrjes “MEICO”, firma “Helmtech Development Ltd”, nuk është gjë tjetër veçse një kompani e krijuar nga Ylli Pinari në vitin 2006. Firma “Helmtech Development Ltd” është evidentuar nga dosja e prokurorisë si një kompani që ka blerë një sasi shumë të madhe raketash “Katjushka”, ndërsa këto raketa janë sistemuar në bazën e Gërdecit disa ditë para se të bliheshin në mënyrë fiktive nga kompania fantazmë e Pinarit. Pas dy akuzave (për “shpërdorim detyre” dhe “aktivitet antiligjor me pasojë vrasjen e popullsisë civile në rrethana të cilësuara”) të shpallura prej kohësh ndaj tij, Ylli Pinari do të përballet edhe me akuzën e trafikimit të armëve. Prokurorët e dosjes “Gërdeci” kanë klasifikuar së fundi edhe këtë akuzë në drejtim të ish-drejtorit të shumëpërfolur të “MEICO”-s, duke e akuzuar atë edhe për përfshirje dhe drejtim të një aktiviteti antiligjor të shitblerjes së armatimeve shtetërore
Laptopi
Ka qenë laptopi personal i Pinarit prova më e fortë e prokurorëve, të cilët ia sekuestruan në zyrë atë pesë ditë pas shpërthimit në Gërdec. Menjëherë pasi prokurorët e shpallën laptopin e Pinarit si provë të lidhur me hetimin, ish-drejtori i “MEICO”-s, ndonëse i arrestuar, e paditi Prokurorinë në gjykatë duke kundërshtuar marrjen e laptopit dhe cilësimin e tij si provë fizike. Por tashmë që gjykatat kanë dhënë verdiktin e tyre, prokurorët kanë zbërthyer shumë të dhëna të gjetura në kompjuterin e Pinarit, duke arritur madje ta lidhin atë edhe me pistën e trafikimit të armatimeve. Ylli Pinari ka drejtuar deri në detaje shumë shitje të dyshimta armësh duke qenë njëkohësisht dhe drejtori i “MEICO”-s si dhe “komisionari” apo ndërmjetësi që çonte armët në destinacion kundrejt përfitimit. Ky fakt është vërtetuar nga të dhënat kompjuterike të laptopit të tij ku rezulton se në vitin 2006, Ylli Pinari ka regjistruar elektronikisht në Bahamas firmën “Helmtech Development Ltd”, një ishull ku biznesi kryhet në mënyrë “offshore”. Pinari e ka regjistruar me internet këtë firmë në ishujt Seishell në Angli kundrejt një pagese prej 740 dollarësh dhe kjo firmë edhe sot e kësaj dite rezulton në emrin e tij.
Tentativa
I vetëdijshëm për “xhevahiret” që kishte harruar në laptopin e tij, Ylli Pinari kërkoi, fill pas arrestimit, shpalljen të pavlefshme të sekuestros që prokuroria kishte vënë mbi materialet e tij private. Por Gjykata Tiranës pushoi së gjykuari dy muaj më parë kërkesën e ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari. Gjyqtari i çështjes, Petrit Çomo, dha si argument për vendimin e tij se kjo kërkesë duhet t’i kalonte për kompetencë gjykimi Gjykatës së Lartë, duke qenë se dhe çështja në fjalë ka vajtur për gjykim në këtë gjykatë. Ylli Pinari, i cili akuzohet si një nga përgjegjësit për shpërthimin në Gërdec, kërkoi vetëm 2 muaj më parë (për të tretën herë rresht) që gjykata ta cilësonte të paligjshëm sekuestrimin e Prokurorisë. Sipas tij, pas arrestimit prokurorët kishin sekuestruar dokumente dhe sende personale të tijat, që nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë. Nga shqyrtimi gjyqësor ka rezultuar se nga Prokuroria e Përgjithshme kanë filluar hetimet dhe është regjistruar Procedimi penal Nr. 3, viti 2008, ku po hetohet ne lidhje me ngjarjen e ndodhur ne Gërdec. Ndërmjet të pandehurve të kësaj çështjeje penale është edhe kërkuesi Ylli Pinari. Në kuadër të hetimeve të kësaj çështjeje, oficerët e Policisë Gjyqësore, pa dijeninë dhe pa njoftuar të pandehurin, si dhe avokatin e tij, kanë ushtruar një kontroll në arshivën e ndërmarrjes “MEICO”, si dhe në zyrën e ish-drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, kërkuesit Ylli Pinari. Pasi janë bërë procesverbalet përkatëse nga oficerët e Policisë Gjyqësore, janë përpiluar aktet dhe prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Alfred Progonati, ka bërë vleftësimin e sekuestrove për sendet dhe dokumentet e sekuestruara.

Procedurat, si u ideua dhe u ndërtua Fabrika e Gërdecit

Më datë 28 dhjetor 2006, në Qendrën e Regjistrit të Bizneseve regjistrohet firma “Albademil”. Sipas dokumentit, kompania e re kishte si aktivitet “Çmontimin, demilitarizimin, eksportin e armatimeve të të gjitha llojeve të kalibrave” etj. Kompania kishte si aksioner Mihal Delijorgjin, me 75 për qind të aksioneve dhe Patrick Cornelious Henry III, njëkohësisht dhe president i “Southern Ammunition Company Inc”, me 25 për qind të aksioneve. Në fillim të vitit 2007, pak kohë pasi kjo kompani ishte krijuar, Ministria e Mbrojtjes paraqet në qeveri një projektligj, i cili parashikonte lidhjen e një kontrate me procedurë të drejtpërdrejtë për çmontimin e predhave të kërkuar nga një firmë amerikane. Ky projekt u refuzua nga Kryeministria. Por insistimi i Ministrisë së Mbrojtjes vazhdoi edhe më vonë. Më datë 14.3.2007, qeveria “bindet” nga insistimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe miraton Vendimin Nr. 138, “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Në një nga pikat e këtij vendimi theksohet se, “armët, teknika, pajisjet, municionet dhe lëndët eksplozive, të kërkuara për përdorim ushtarak, pas negocimeve i shiten kërkuesit më të parë, duke realizuar një çmim sa më të lartë, por jo më të ulët se çmimi i miratuar në pikën 1 të këtij vendimi”. Pas shpërthimit në Gërdec, Ministria e Mbrojtjes publikoi një kontratë të dytë, që, sipas saj, ishte lidhur me firmën “Southern Ammunition” më 28 dhjetor 2007 (fiks një vit pas krijimit të firmës “Albademil”), por që sot Prokurorisë ky dokument i rezulton një sajesë fund e krye.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›