E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet shpërndarja e numrit të djeshëm të “Gazetës Shqiptare”

Opozita akuzon qeverinë për bllokim të medias së lirë. Reagon PD-ja, zëdhënësja Mëhilli rrëzon akuzat

Gjatë ditës së djeshme nuk është lejuar të shpërndahet e përditshmja “Gazeta Shqiptare”. Drejtues të saj kanë bërë të ditur se dikush në mesnatë ka blerë në shtypshkronjë të gjitha kopjet e përgatitura për botim për ditën e djeshme, duke mos lejuar që ky numër të dilte në treg. Drejtuesit e kësaj gazete bëjnë të ditur se për numrin e djeshëm ishte përgatitur për botim publikimi i dokumenteve që implikojnë drejtpërdrejt djalin e kryeministrit të vendit, Shkëlzen Berisha, në tragjedinë e Gërdecit. Sipas tyre, persona të panjohur kanë tërhequr në momentin e shpërndarjes të gjitha kopjet e programuara të gazetës për t’u shpërndarë për publikun. “Bordi drejtues i Gazetës Shqiptare është mbledhur urgjentisht dhe ka vendosur riprintimin e menjëhershëm të gazetës dhe verifikimin nëse një problem i tillë ka ndodhur dhe në rrjetin e shpërndarjes nëpër rrethe. Gazeta ka nisur shpërndarjen tashmë në të gjitha pikat e shitjes”, - bëhet e ditur nga drejtuesit e kësaj gazete. Kjo shënon cenim të shtypit të lirë dhe konsiderohet një ngjarje e rënë, që ndodh në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Reagimet
Për këtë incident kanë reaguar përfaqësues të politikës në vend. Në një prononcim për mediat, kryetari i PDK-së, Ndoka, e cilësoi këtë një fatkeqësi dhe një imazh negativ për vendin tonë përpara syve të ndërkombëtarëve. Ndoka tha se tashmë historia e Gërdecit është e qartë për të gjithë qytetarët shqiptarë. “Paratë e Gërdecit po blejnë informacionin. E vërteta mund të mohohet, por jo asgjësohet”, - tha Ndoka. Kreu i PDK-së e akuzoi opozitën se është treguar shumë e butë për Gërdecin. Ndërsa përfaqësuesit e opozitës e kanë akuzuar qeverinë për këtë incident. Kryetari i PS-së, Edi Rama, e cilësoi këtë ngjarje si shenjë të hapur të panikut që ka zënë kryeministrin Berisha në prag të zgjedhjeve parlamentare. “Dita e sotme është gdhirë me një incident të qeverisë së Shqipërisë me shtypin e lirë. Këto janë shenja të panikut të Berishës, i cili për të mbrojtur qeverinë e interesave familjare, po shkel përditë e më shumë në dërrasë të kalbur”, - u shpreh Rama. Kreu i PSD-së, Gjinushi, e akuzoi Berishën se po bllokon median e pavarur. Edhe sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkallari, u shpreh se Berisha nuk do të mund t’i bëjë më ballë "Bashkimit për ndryshim”.
Qeveria
E pyetur për këtë incident, zëdhënësja e qeverisë, Juela Meçani, u shpreh se nuk kishte asnjë koment për të bërë. Vetëm pak orë më pas ka reaguar zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, e cila është distancuar nga ky incident. Më tej, gjatë deklaratës për shtyp, ajo ka hedhur akuza kundër kryetarit të PS-së, Edi Rama.
Sipas PD-së, “Shalsat e Bashkisë blenë gazetën dhe ky është një akt që tregon dëshpërimin e Edi Ramës. Sot Edi Rama dërgoi Shalsat e Bashkisë për të blerë Gazetën Shqiptare”. Ky është akti dëshpërues i një zyrtari, i cili ka vendosur standardet më të larta të korrupsionit në botë. Akti dëshpërues i një njeriu, i cili e ka shndërruar Bashkinë e Tiranës në pronë të vetën”, - theksoi zëdhënësja e PD-së.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›