E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si mund të shmangim sëmundjet ngjitëse



Emanuela Sako

Shumica e njerëzve vuajnë nga sëmundjet infektive, të marra në rrugë të ndryshme. Por gjatë stinës së verës vihet re një shtim i përhapjes së virozave stinore apo mjaft sëmundje të tjera që janë të kushtëzuara nga rritja e temperaturave. Një pjesë e këtyre personave shkon deri në vdekje, ndërsa pjesa tjetër mund të lërë gjurmë, por pa përjashtuar rastet e mëdha që infeksionet shërohen plotësisht. Gjithçka varet nga lloji i virusit që prek personat. Specifika e tyre është se ato transmetohen nga një person apo specie tek një person apo specie tjetër. Rrugët apo mënyrat e transmetimit janë nëpërmjet ajrit, ushqimit, ujit, shiringave, apo në mënyrë vertikale nga nëna tek fëmija etj. Specialistët shpjegojnë se mënyra më e mirë e parandalimit të sëmundjeve infektive është vaksinimi i hershëm i të gjithë personave. Me anë të vaksinave përkatëse do të mund të shmangen një pjesë e madhe e përhapjes së këtyre sëmundjeve.
Transmetimi
Sëmundjet infektive transmetohen në mënyra dhe mekanizma të ndryshëm. Një pjesë e tyre transmetohen përmes rrugës aerogene (ajrit), përmes spërklave të pështymës së infektuar. Me këtë rrugë transmetohen sëmundje të tilla si gripi, infeksionet e mushkërive, tuberkulozi, shkaktarë që japin meningjitin etj. Një pjesë e sëmundjeve infektive të aparatit tretës apo siç quhen sëmundje gastrointestinale transmetohen përmes konsumimit te ushqimit apo ujit të infektuar. Këtu mund të përmendim sëmundje si dizenteria, helmimi ushqimor, salmoneloza, infeksionet nga parazitet apo krimbat e zorrës. Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë ato sëmundje që shkaktohen nga kontakti me lëngjet seksuale të trupit zakonisht si rezultat i kontaktit intim seksual. Në këto infeksione përfshihen infeksioni HIV/AIDS, sifilizi, klamidia, gonorrea, hepatiti, herpesi, papiloma virusi etj. Një pjesë e rëndësishme e infeksioneve kanë nevojë për një ndërmjetës apo “vektor” për të kaluar nga personat apo kafshët që i mbartin tek njerëzit. Këta vektorë janë, si për shembull; mizat, mushkonjat, rriqnat etj. Shumë infeksione mund të transmetohen nga kafshët tek njerëzit përmes rrugëve të ndryshme. Në këto sëmundje me origjinë nga kafshët përmendim brucelozën, leishmaniozën, tetanosin, tërbimin, etj. Sëmundjet infektive mund të transmetohen edhe përmes gjakut apo procedurave mjekësore dhe jo mjekësore me instrumente çpuese të kontaminuara (psh, pirsing, tatuazhi apo injektimi i drogave me shiringë). Në këtë mënyrë transmetohen infeksioni HIV/AIDS, hepatiti B dhe C (verdhëza), etj. Gjithashtu sëmundjet infektive mund të transmetohen edhe nga nëna e infektuar tek i porsalinduri. Këtu futen toksoplazmoza, HIV-i, hepatiti, rubeola, sifilizi, etj.
Pasojat
Sëmundjet infektive apo ngjitëse përbëjnë shkakun kryesor të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullatës në rang botëror. Këto sëmundjet mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e personit apo popullatës së prekur. Për shkak të mundësisë së përhapjes së shpejtë në një komunitet apo popullatë, këto sëmundje paraqesin rrezik për shpërthime epidemish me pasoja të rënda. Shkaktarët e sëmundjeve infektive (viruset, bakteret) mund të përdoren si armë biologjike terroriste mjaft të rrezikshme. Sëmundjet ngjitëse mund të jenë vdekjeprurëse siç janë infeksioni HIV/AIDS, tërbimi, ethet e verdha, ethet hemorragjike, botulizmi, tërbimi, apo me pasoja mjaft të rënda edhe fatale siç janë infeksioni i trurit apo cipave të trurit (encefaliti dhe meningiti), infeksioni i valvulave të zemrës, helmimet e rënda ushqimore, hepatiti (verdhëza) e rëndë që çon në vdekje apo në cirozë dhe kancer të mëlçisë etj. Sëmundjet infektive tek gruaja shtatzënë mund të shkaktojnë dëmtime të rënda tek fetusi apo fëmija i porsalindur.

Parandalimi, mënyrat më efikase që përdoren për të penguar viruset

Parandalimi i sëmundjeve infektive apo ngjitëse është mënyra kryesore e luftës ndaj këtyre infeksioneve. Njohuritë që kemi për rrugët dhe mekanizmat e transmetimit të tyre na ndihmojnë për marrjen e masave për eliminimin e këtyre rrugëve dhe mekanizmave. Një nga mënyrat më universale të parandalimit dhe mbrojtjes ndaj sëmundjeve ngjitëse është krijimi i imunitetit apo mbrojtjes ndaj infeksionit përmes vaksinimit. Kryerja e vaksinave i mbron fëmijët dhe të rriturit ndaj infeksioneve si hepatiti, tetanosi, rubeola, difteria, kolla e mirë, poliomieliti, gripi etj.
Infeksionet e traktit tretës parandalohen përmes një higjiene sa më të mirë në drejtim të ushqyerjes. Konsumimi i ujit të sigurt, ruajtja e ushqimeve nga kontakti me mizat, larja e duarve para ushqimit, përpunimi i mirë termik i ushqimeve gjatë gatimit etj janë disa nga masat që ndihmojnë në parandalimin e infeksioneve të zorrëve. Kontrolli shëndetësor i personave që merren me përgatitjen e ushqimeve si dhe përmirësimi i rrjetit të tubacioneve të ujit dhe rrjetit të kanalizimeve do të ndikonin dukshëm në pakësimin e rrezikut për shpërthimin e sëmundjeve infektive gastro-intestinale. Infeksionet seksualisht të trasnmetueshme mund të parandalohen përmes mosbërjes seks të pambrojtur me persona të panjohur, apo përmes përdorimit të prezervativit gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale. Përmirësimi i kushteve në spitale, përdorimi i shiringave me një përdorim, sterilizimi i instrumenteve prerëse sidomos nga dentistët, kontrolli i vazhdueshëm i gjakut që dhurohet etj, do të bënin të mundur parandalimin e infeksioneve të rënda që transmetohen nëpërmjet këtyre rrugëve. Po kështu, ndikim të dukshëm për shmangien e viruseve është edhe ushqyerja. Specialistët shprehen se një jetë e shëndetshme në drejtim të ushqyerjes, kryerjes së aktivitetit fizik, shoqëruar me kontrolle periodike tek mjeku do të bënin të mundur një pakësim të rrezikut të prekjes nga sëmundjet infektive.

Sëmundjet ngjitëse

Ajri
gripi, infeksionet e mushkërive, tuberkulozi, shkaktarët që japin meningitin etj.

Uji, ushqimi
Sëmundjet infektive të aparatit tretës, apo siç quhen sëmundje gastrointestinale, transmetohen përmes konsumimit të ushqimit apo ujit të infektuar.
Dizanteria, helmimi ushqimor, salmoneloza, infeksionet nga parazitët apo krimbat e zorrës

Sëmundjet seksuale
HIV/AIDS, sifilizi, klamidia, gonorrea, hepatiti, herpesi, papiloma virusi

Sëmundje me origjinë nga kafshët
bruceloza, leishmanioza, tetanozi, tërbimi

Sëmundjet infektive përmes gjakut apo procedurave mjekësore dhe jo mjekësore me instrumente çpuese të kontaminuara

pirsing, tatuazhi, injektimi i drogave me shiringe, infeksioni HIV/AIDS, hepatiti B dhe C (verdhëza), etj

Sëmundjet infektive nga nëna tek fëmija
toksoplazmoza, HIV-i, hepatiti, rubeola, sifilizi

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›