E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja shqyrton tetë masa disiplinore për gjyqtarët

Mbledhja me dyer të mbyllura, i pranishëm edhe Presidenti Bamir Topi. Vendimet që u morën dhe gjyqtarët që kaluan dje në “sitën” e KLD-së

Laureta Rryçi

Tiranë - Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi një mbledhje për katër orë me radhë posaçërisht për shqyrtimin e masave disiplinore të propozuara nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Në mbledhje ishte i pranishëm dhe kryetari i këtij këshilli, Bamir Topi. Burime pranë KLD-së pohuan dje për gazetën “Albania” se anëtarët e Këshillit, pasi janë njohur me materialet e propozuara nga ministri Alibeaj, kanë dëgjuar edhe mbrojtjen e gjyqtarëve. Të njëjtat burime shpjeguan se shqyrtimet kanë nisur me masën disiplinore që ishte propozuar për gjyqtarin Murat Lleshi. Ky i fundit, deri dje ishte pjesë e trupës gjyqësore të Gjykatës së Matit. Mësohet se me vendimin e KLD-së ky gjyqtar do të transferohet në një gjykatë tjetër. Sakaq, në listën e shqyrtimeve kanë qenë edhe emrat e gjyqtarëve të tjerë.
Mbledhja
Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi dje mbledhjen e dytë radhazi. Për ditën e djeshme ishin përfshirë në rendin e ditës vetëm shqyrtimet e masave disiplinore për tetë gjyqtarë që punojnë në gjykata të ndryshme të vendit. Burime pranë këtij këshilli sqaruan se gjatë shqyrtimit të masave nuk kanë munguar dhe debatet si mes anëtarëve, ashtu edhe mes palëve. Gjyqtarët, të cilët janë cilësuar nga ministri se kanë shkelur procedurat, kanë pasur kohën e tyre për të dhënë argumentet kundër. Në sallën e KLD-së ishin gjyqtarët Murat LLeshi, Gjin Gjoni, Alaudin Malaj, Meme Rexha, Manjola Bejleri. Mbledhja ka nisur në orën 13:00 dhe ka përfunduar rreth orës 17:00. Pjesa më e madhe e mbledhjes është munduar të mos bëhet publike. Burimet sqaruan se dje është mundur të merret vendimi vetëm për gjyqtarin Murat Lleshi. Ky i fundit, pas vendimit të djeshëm, do të punojë në Gjykatën e Kurbinit. Ndërsa për gjyqtarët e tjerë është vendosur të shqyrtohen në mbledhjen e ardhshme.
Ndryshimet
Në mbledhjen e dy ditëve më parë, në përbërjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u legjitimua nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve anëtarja më e re e tij, Lefterije Lleshi, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë pak kohë më parë. Një pikë tjetër diskutimesh në këtë mbledhje kanë qenë dhe shpallja publike e disa vendeve të reja vakante në gjykata të ndryshme. Kështu, KLD ka nisur procedurat për konkurrim mbi vende vakante për gjyqtarë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vend ky i krijuar pas largimit në Gjykatën e Lartë të gjyqtares Mirela Fana. Gjithashtu, Këshilli vendosi të zgjasë afatin zyrtar të paraqitjes së kërkesave dhe dokumentacionit përkatës, edhe për një muaj, për kryetarin e Gjykatës së Rrethit Tiranë. Në zbatim të Ligjit Nr. 10.039, datë 22.12.2008 “Për ndihmën juridike”, Neni 6, Këshilli i Lartë i Drejtësisë caktoi Neshat Fanën si përfaqësues të tij në Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike. Kjo mbledhje u ndërpre për t’u vazhduar ditën e sotme, ora 13:00, me shqyrtimin e 8 procedimeve disiplinore.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›