E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inva Mula në Gjykatë: “Nuk dua të jem më gruaja e Pirros”

Kantautori Pirro Çako tregohet indiferent ndaj njoftimeve të Gjykatës. Procesi drejt shqyrtimit, pa realizuar seancën e pajtimit mes çiftit

Laureta Rryçi

Tiranë - Sopranoja e njohur, Inva Mula, nuk do të jetë më bashkëshortja e Pirro Çakos. Në seancën e djeshme, ku çiftit të njohur do t’i jepej edhe një herë mundësia e pajtimit, gjithçka ka shkuar ndryshe. Pirro Çako sërish ka neglizhuar prezencën e tij para gjykatës për këtë çështje. Ndryshe nga ai, për pak minuta, duke iu shmangur kamerave apo aparateve fotografike, sopranoja ka qëndruar në zyrën e gjyqtares Elona Gjoka. Avokatja e saj mësohet se ka thënë që gjykata duhet të niste shqyrtimin e padisë civile pasi klientja e saj nuk donte të pajtohej me bashkëshortin. Duke qenë se mungonte pala tjetër, gjyqtarja e ka shtyrë seancën për një tjetër ditë.
Sopranoja
Marrëdhëniet e vështira në çift e kanë detyruar dje sopranon e njohur të paraqitet në dyert e Gjykatës së Tiranës për t’i dhënë fund një herë e mirë martesës së saj. Inva Mula, për të mos rrezikuar pushimin e padisë së depozituar prej saj, është paraqitur dje vetëm pak minuta për t’i dhënë mendimin e saj gjyqtares në lidhje me seancën e pajtimit. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe mësohet se për Mulën është shprehur avokatja. Ajo i ka kërkuar Gjykatës që të vazhdonte shqyrtimin e kërkesës për divorc duke u bazuar në Kodin e Familjes, që përcakton edhe procedurën që ndiqet për të tilla raste.
Padia
Pirro Çako duket shumë indiferent ndaj kërkesës së bashkëshortes së tij dhe tashmë vënia në dijeni ka mbetur nëpërmjet ftuesit të Gjykatës. Padia për divorc është depozituar që në ditët e para të këtij muaji nga sopranoja. Çiftit të njohur, pas shumë vitesh martesë, duket se i ka ardhur fundi i bashkëjetesës së tyre ligjore. Seanca e pajtimit është shumë vendimtare në të tilla procese civile, pasi nëse çifti kërkon të rikthehet sërish bashkë, atëherë padia pushohet. Në të kundërt, procesi vijon deri në vendosjen e kujdestarisë së fëmijës. Pak gjasa duket se ka shanse pajtimi mes çiftit. Ftohja midis tyre tashmë është bërë dhe publike duke qëndruar indiferentë ndaj iniciative të njëri-tjetrit. Sopranoja ka kërkuar zyrtarisht ndarjen nga bashkëshorti i saj pas 20 vitesh martesë, fryt i së cilës është edhe djali, tashmë 14-vjeçar. Pas disa ditësh do të caktohet edhe data kur do të zhvillohet seanca ballafaquese mes çiftit. Padia është depozituar nga ana e sopranos dhe ende nuk dihet reagimi i kantautorit Pirro Çako. Çështja mban numrin 7644 dhe datë regjistrimi 31 mars 2009. Kërkuese është këngëtarja Inva Tchako (Mula), ndërsa i paditur bashkëshorti i saj, Pirro Tchako. Në ueb-siten e gjykatës thuhet se objekti i padisë është zgjidhja e martesës midis dy bashkëshortëve Mula–Çako, mbështetur kjo kërkesë në nenet 129-162 të Kodit të Familjes.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›