E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: “Ndryshojmë nga Berisha, sepse mbrojmë interesat e të gjithë shqiptarëve”



Deputetët e Partisë Socialiste, Ben Blushi, Alfred Dalipi dhe Arben Ahmetaj janë takuar me banorët e fshatit Moravë në qarkun e Kukësit. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Blushi akuzoi kryeministrin Sali Berisha se po mbron vetëm një grusht njerëzish që pasurohen, ndërkohë që sipas tij kjo bën dhe ndryshimin e madh mes kësaj maxhorance dhe Partisë Socialiste, e cila si në opozitë, ashtu dhe në qeverisje, kujdeset për të gjithë shqiptarët: “Për t’ju thënë që ndryshimi ynë me Sali Berishën, me qeverinë, është pikërisht ky; ne mbrojmë ata që punojnë, ne mbrojmë të varfrit, minatorët, ata që kanë nevojë, ai mbron ata që pasurohen. Ata që pasurohen në Shqipëri janë shumë pak sot. Ata që pasurohen padrejtësisht janë miqtë e Sali Berishës, familja e vet, që ditë përditë i dalin bisedat telefonike dhe ata që u pasuruan në Gërdec”, - tha Blushi, i cili shprehu besimin për fitoren e të majtës në zgjedhje.

Kandidatët e LSI-së, takim në qytetin e Vlorës

Kandidatët për deputetë në qarkun e Vlorës, Shkëlqim Selami dhe Besjan Pesha, kanë inspektuar dje nga afër punimet për rregullimin e rrugës së lagjes pranë Burgut të Ri. Përpara disa ditësh Selami dhe Pesha ishin në një takim me banorët e kësaj zone, ku një nga problemet kryesore që ata shtruan ishte mungesa e rrugës, e cila kishte 20 vjet që nuk merrte asnjë lloj investimi, qoftë nga pushteti qendror apo ai lokal. Selami u premtoi banorëve në atë takim se do të angazhonte një firmë ndërtimi që të bënte një rregullim të rrugës kështu që banorët të kishin mundësi të lëviznin dhe të mos ishin të izoluar. Dje Selami dhe Pesha u takuan sërish me banorët e zonës për të ndjekur nga afër punimet që kishin filluar. “Unë ju dhashë fjalën para një jave dhe sot jam këtu të shoh realizimin e fjalës së dhënë. Ne jemi për veprim dhe në veprim për të zgjidhur çdo problem”, - tha ai. Ndërsa kandidati tjetër, Besjan Pesha, tha se LSI-ja synon politikën e veprimit dhe jo të premtimeve boshe.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›