E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Baroni drogës“ në gjyq, falsifikoi raportet për të dalë nga burgu

26/04/2005  Gëzim Çela dy vite më parë u dënua me 5 vjet burg për favorizim prostitucioni

TIRANË – Pasi ka lënë qelitë e burgut dhe nuk dihet ku është vendndodhja, Gëzim Çela i quajtur "baron" i drogës dhe prostitucionit rikthehet përsëri në gjyq. Këtë radhë në dosjen e dërguar për gjykim është shënuar vepra penale e falsifikimit të raporteve mjekësore. Ndonëse shorti ka përcaktuar si gjyqtar Arben Mickon, nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës. Gëzim Çela dy vjet më parë u dënua nga gjyqtari Arben Kostandini me shtatë vite e gjysmë burg. Pasi pranoi gjykim të shkurtuar për veprën penale të favorizimit të prostitucionit në rrethana rënduese, Çela u dënua përfundimisht me 5 vite burg, ndërsa bashkëpunëtori i tij Gëzim Gjini u dënua vetëm me kohën e paraburgimit. Por këtë masë dënimi, Çela nuk arriti ta kryente pas nxjerrjes së disa raporteve mjekësore, me anë të të cilave vërtetonte se vuante nga tumori në gjurin e djathtë.

Falsifikimi

Çela bëri kërkesë në gjykatë për t'u liruar me kusht. Një nga pretendimet e Çelës ishte se vuante nga tumori në gjurin e djathtë dhe për të shpëtuar këmbën duhej të operohej patjetër në një nga spitalet e Turqisë. Nga mjekët e Spitalit Ushtarak, Gëzim Çela kishte arritur të siguronte një epikrizë, e cila përcaktonte se materiali që duhej të zëvendësonte kockën e prekur nga tumori nuk gjendej në asnjë nga spitalet tona dhe ndërhyrja kërkonte shumë profesionalizën, gjë që e siguronte vetëm një spital në Stamboll. Rast pas rasti, Gëzim Çela kishte siguruar në një spital të Turqisë disa raporte të falsifikuara, duke i paraqitur në gjykatë si pretendim për të fituar lirimin me kusht. Pas raporteve të siguruara në Turqi dhe disa të tjera të firmosura nga mjekët e Spitalit të Burgut, Gëzim Çela fiton të drejtën e lirimit me kusht nga gjyqtari Albert Meçe.

Zbulimi

Ndërsa, Çela lirohet më kusht, Prokuroria arrin të zbardhë "mashtrimin" e tij. Hetimet kanë vërtetuar se të gjitha raportet e dërguara në gjykatë për të fituar lirimin me kusht kanë qenë të falsifikuara. Në këto kushte, ish i dënuari për veprën penale të favorizimit të prostitucionit duhet të përgjigjet për akuzën e falsifikimit të raporteve mjekësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›