E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trafiku i lëndëve plasëse, 2 shqiptarë dhe 3 malazezë, kokat e rrjetit

26/04/2005  Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me homologen e saj malazeze, ka identifikuar pesë persona të dyshuar si furnizues të “bombave“ me celular dhe trafikut të lëndëve plasëse mes vendeve tona. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se nga hetimet dypalëshe është konkluduar në pesë emra të dyshuar, dy shqiptarë dhe tre malazezë, si koka të këtij rrjeti. Sipas burimeve, dy shqiptarët kanë qenë me rezidencë në Mal të Zi, prej nga drejtonin trafikun. Nga verifikimet rezulton se ata kanë lidhje miqësore në Mal të Zi, prej nga kanë arritur të krijojnë lidhjet e tyre në këtë trafik, sqarojnë burimet. Sipas Prokurorisë, tre malazezët e dyshuar kanë siguruar lëndën plasëse C4, të cilën pastaj e modifikojnë, duke e bërë gati për shpërthimin me anë të një celulari si telekomandë. Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë, dyshohet se kanë kryer lidhjet e trafikut të këtyre bombave të sofistikuara. Këta të fundit mendohet se siguronin transportuesit dhe tregun e shitjes së këtyre bombave, që kushtonin vetëm 1500 euro. Ndërkaq, hetuesit e Krimeve të Rënda, të cilët për disa ditë qëndruan në Mal të Zi, duke bashkëpunuar me homologët e tyre, kanë arritur të sigurojnë informacione të vlefshme për disa çështje. Burimet thonë se janë njohur me të gjitha ngarkesat që ka kryer në portet e Malit të Zi anija “Eni“, e sekuestruar për kalimin kontrabandë në portin e Durrësit të 4 milionë dollarëve. Burimet nuk bëjnë të ditur numrin e ngarkesave të kësaj anije, pasi ende nuk janë ballafaquar me ato të çdoganuara në Portin e Durrësit, përfundojnë burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›