"E vrava nusen, se nuk deshi të kthehej tek unë"
26/04/2005 TIRANË – Ka dhënë shpjegime para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Pranon gjithçka. Kastriot Maksuti nuk donte të fliste shumë, por ajo që deklaroi la të kuptohej se nuk ishte penduar. "E vrava nusen dhe vjehrrën. Unë shkova në shtëpi për ta marrë me qëllim që të fillonim jetën nga e para, por ajo nuk pranoi". Kështu e nisi deklarimin e tij para gjykatës i pandehuri Kastriot Maksuti, akuzuar për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese. Pranoi fajësinë, por nuk fitoi gjykimin e shkurtuar për vetë rrethanat në të cilat ndodhet. "Nusja para se të shkoja për ta marrë më shkruante letra dashurie. Unë i lexoja ato dhe menjëherë më erdhi në mendje se duhej t'i kërkoja të kthehej. Në 21 maj vendosa të shkoja në shtëpi, por ajo nuk pranoi. Ma drodhi dhe unë në moment vendosa ta vras së bashku me vjehrrën". Pasi ka thënë këtë fjali, i pandehuri është shprehur se vjehrra e tij ka ndikuar për keq tek e bija. Kastriot Maksuti u arrestua në datën 9 prill në banesën e tij në fshatin Kamenicë të Korçës. Sapo ishte kthyer nga Greqia. Ndërkohë dje i ndihmuar nga avokati Bajram Malaj, i caktuar nga gjykata, është njohur me dosjen penale si dhe me dëshmitë e dhëna nga bashkëfshatarët e tij. Ka vrarë në mesin e muajit maj të vitit 2004, nusen dhe vjehrrën e tij. Pas kryerjes së veprës penale, i pandehuri ka detyruar shoferin e një furgoni ta largonte nga fshati. Që nga dita e ngjarjes deri në fillim të këtij muaji, Maksuti qëndronte në Greqi. E vetmja që ka parë zënkën mes Maksutit dhe dy viktimave ka qenë vajza e vogël e familjes Hyska në Kamenicë. Vrapi i vajzës 12–vjeçare nuk ka mundur të ndalojë tragjedinë. Kundër të pandehurit kanë dhënë dëshminë më shumë se 30 bashkëfshatarë. Rezulton e provuar edhe fakti se nusja e Maksutit, që është njëra prej viktimave, të ketë dështuar dy fëmijë nga keqtrajtimet, madje ai i ka thyer edhe njërin krah. Ky ka qenë edhe shkaku i divorcit mes tyre.