E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të paraburgosurit në grevë, jo zvarritjes së gjyqeve e dënimeve të rënda

26/04/2005  TIRANË – Futen përsëri në grevë urie të paraburgosurit e krimeve të rënda të sistemuar në repartin 302 Tiranë. Kërkesat e të pandehurve kanë përparuar. Përveçse duan të trajtohen në bazë të rregullave të paraburgimit, duan edhe përshpejtim të hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor si dhe dëme jo të rënda. Pak kohë më parë, të paraburgosurit e Burgut 302, të cilët janë në pritje të gjykimit nga Krimet e Rënda, u futën në grevë urie për t'i dhënë fund dhunës fizike dhe psikologjike. Të bindur në të drejtën e tyre, ata arritën të largonin nga detyra ish-drejtorin Petrit Ismaili. Pa kaluar as tri javë, të paraburgosurit janë hedhur sërish në grevë. Këtë radhë kërkesat janë kundër vendimeve që jepen nga Gjykata e Krimeve të Rënda si dhe për moszvarritjen e proceseve gjyqësore. Të pandehurit njëzëri janë shprehur se do të futen në grevë të përgjithshme, nëse nuk do të merren masa që proceset gjyqësore të zhvillohen brenda afateve ligjore dhe vendimet të jenë më të zbutura. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, i pari që ka refuzuar të paraqitet në gjyq, duke thënë se është në grevë urie, ishte i pandehuri Ismail Paja, akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese të kryera në bashkëpunim. Pas tij nuk janë paraqitur edhe disa të pandehur të tjerë me të njëjtin pretendim. Të pyetur për këtë nismë të të pandehurve, avokatët mbrojtës janë shprehur se është e drejta e tyre. Ndërkohë vetë të pandehurit thanë se është krijuar përshtypja se po të gjykohesh te Krimet e Rënda, nuk ke rrugë shpëtimi. Pikërisht për të zbutur këtë mendim të paraburgosurit janë futur në grevë dhe kërkojnë përshpejtim të procedurave. Një nga kërkesat e të pandehurve, ajo e zbutjes së dënimeve, është komentuar nga disa prej gjyqtarëve si e padrejtë. Të njëjtat gjëra kanë shprehur edhe prokurorët. "Nuk kemi aspak qëllimin të japim dënime të rënda. Ne zbatojmë vetëm ligjin dhe asgjë më tepër. Kemi patur edhe raste kur kemi dhënë vendime pafajësie për disa të pandehur. Kjo rrugë do të vazhdojë të ndiqet". Kështu shprehen disa prej gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, të cilët më tej thonë se nuk paragjykojnë asnjë nga të pandehurit që ulet në bankën e të akuzuarve. Nga ana tjetër, prokurorët shprehen se shkojnë në gjykatë, pasi kanë bërë hetim intensiv dhe kanë arritur të mbledhin prova që flasin kundër të pandehurve. Sipas tyre, askush nuk dëshiron të privojë lirinë e tjetrit pa prova. Sa për zvarritjet e proceseve, arsyet janë nga më të ndryshmet. Megjithatë dje ka qenë dita e parë e grevës së shpallur nga të paraburgosurit e 302-shit. Po dje janë shtyrë pjesa më e madhe e gjyqeve, që patën si shkak mungesën e prokurorëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›