E Diel, 1 Nëntor 2026

Barroso: Eurozona në rrezik, të veprojmë menjëherë

BRUKSEL- Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso ka nxitur krerët e Eurozonës që të veprojnë me vendosmëri për të zgjidhur krizën e borxhit në vendet që përdorin monedhën e përbashkët europiane për të shmangur rrezikun e daljes së situatës jashtë kontrollit.

“Askush nuk duhet të ketë iluzione, situata është vërtetë serioze. Kërkon një reagim ose përndryshe pasoja negative do të ndjehen në cdo cep të Europës dhe më tej". Këto komente, Barroso i bëri një ditë para samitit të jashtëzakonshëm të Eurozonës që zhvillohet nesër në Bruksel.

“Ata kanë thënë se do të bëjnë gjithçka të mundur për të siguruar qëndrueshmërinë në zonën Euro. Tani është koha që ta mbajnë këtë premtim” u shpreh Barroso duke iu drejtuar liderëve të vendeve të Eurozonës. Ai shtoi se gjatë këtij samiti duhet të ofrohet qartësi në pesë pika mes të cilave planet për një paketë ndihme financiare për Greqinë si dhe një barrë të mundshme që mund t’i vendoset sektorit privat.

Presidenti i Komisionit Europian shtoi se në një situatë të tillë nevojitet angazhim i plotë nga të gjithë në këtë samit. Sipas tij, monedha Euro është një prej pasurive më të mëdha i familjes Europiane. Gjithashtu ai bëri të ditur dërgimin e një ekipi teknik në Greqi, për të ndihmuar këtë vend të zhytur në krizë financiare që të marrë sërish veten.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›